Demokratët e zhgënjyer shprehen të tronditur nga humbja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD. Ish drejtues dhe anëtarë të Kryesisë, të Këshillit Kombëtar shprehen se Basha është përgjegjësi i vetëm për humbjen e zgjedhjeve pasi që kur mori drejtimin e partisë e ka drejtuar atë pa profesionalizëm dhe pa dinjitet duke e çuar partinë drejt shkatërrimit dhe prishjes në mënyrë arbitrare të strukturave brenda PD-së.

Edith Harxhi, Endira Bushati, Bujar Nishani, Ibsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj dhe Endrit Hoxha përmes një deklarate shprehen se Lulzim Basha ka dëmtuar opozitarizmin në vend duke e lënë atë në dorën e Ramës.

Në deklaratën e tyre demokratët akuzojnë Bashën se shoi zërin e lirë brenda PD duke mos lënë mundësinë për asnjë forum të hapur dhe duke eliminuar demokracinë e brendshme në parti. Të zhgënjyer nga humbjet e njëpasnjëshme të Lulzim Bashës dhe shkatërrimit të opozitës në vend, demokratët  kërkojnë largimin e tij dhe mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me qëllim hapjen e rrugës për të nisur një proces rrënjësor reflektimi brenda në parti dhe zgjedhjen e një kryetari të ri.

Që më 26 prill pas humbjes së PD në zgjedhje, zërat që kërkuan largimin e Lulzim Bashës u shtuan duke bërë atë përgjegjës për humbjet sistematike të partisë. I pari që e kërkoi ishte anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, më pas ish presidenti Bujar Nishani dhe Arben Ristani duke u pasuar nga një numër shumë i madh demokratësh të tjerë.

VERITAS.COM.AL