(Foto nga sheshi Skenderbej)

Ne kemi fatin dhe mundësinë të jetojmë në të përpjetën drejt majës ku Shqipëria e ka vendin e saj natyral, nën qiellin e Europës së Bashkuar”, ishte video-mesazhi i kryeministrit Edi Rama nga festa në sheshin Skënderbej. Socialistët festojnë sot në Tiranë për 100-vjetorin e marrëdhënieve me SHBA dhe Shqipërisë, dhe çeljen e negociatave. Qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin Skënderbej për të ndjekur koncertin që ka organizuar kryeministri Edi Rama së bashku me Bashkinë e Tiranës. Festës i është bashkuar edhe ambasadoja amerikane Yuri Kim, e cila qëndroi pranë ministrave.

Ndërsa kryeministri Rama mbërriti i shoqëruar nga partnerja e tij Linda Rama. Kamera fiksoi edhe momentin e përqafimit të Ramës me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Ballën. Të pranishëm janë edhe deputetë e ministra që nuk hezitojnë të bëjnë video e selfie nga festa teksa kërcejnë nën ritmet e performancave të artistëve si Soni Malaj, Alban Skënderaj, Ylli Limani, Xhensila Myrtezaj, Ciljeta, Threedots, Anxhela Peristeri, Eneda Tarifa, Fifi dhe Flori Mumajesi.

Në këtë festë nuk mungoi transmetimi i mesazheve të presidentit të SHBA, Joe Biden për 100 vjetorin e marrëdhënieve të SHBA me Shqipërinë si dhe mesazhi i Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel për celjen e negociatave. Pak para se të niste festa e madhe, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla foli për Report Tv duke dhënë një koment për opozitën, për të cilët tha se kanë hall të madh.

Koncerti mbahet në kuadër të dy ngjarjeve speciale, 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA  si dhe hapjen e negociatave me BE. Më 19 korrik Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të çeljes së negociatave, pas pritjes disa vjeçare. Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej.

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ishin vendosur më 28 korrik 1922. Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA fillojnë në vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan Ëoodroë Uillson i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij.