Po afrohet dita e celebrimit te 200 vjetorit te Revolucionit Grek. Por ngjitur me kete ngjarje te madhe per popujt e gadishullit tone dhe Evropes, jane dhe dy ngjarje te tjera madhore: 50 vjetori i rivendosjes se marredhenieve diplomatike mes Shqiperise e Greqise dhe 40 vjetori i anetaresimit te Greqise ne Bashkimin Evropian.

Ne  kuader te ngjarjeve te medha, edhe mes Shqiperise e Greqise ka nisur  ‘feste e madhe’ marredheniesh dhe inaugurimesh.

Sot pranë liqenit të Farkës në Tiranë u përurua hapësira “Parku Helen”, ku të pranishëm ishin ambasadorja e Greqisë, Sophia Philippiddou, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe shumë përsonalitete të tjerë nga fusha e politikës, por edhe biznesmenë grekë të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në Shqipëri.

Në fjalën e hapjes ambasadorja greke në Shqipëri, Philippiddou, duke falënderuar të gjithë pjesmarrësit theksoi se kjo ditë e veçantë përkon me festa të rëndësishme edhe në Greqi.

“Ne festojmë 200-vjetorin e Revolucionit Grek, 50-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Greqi-Shqipëri, por gjithashtu sot përkujtojmë edhe 40-vjetorin e anëtarësimit të Greqisë në Bashkimin Europian. Më vjen mirë që në kuadër të këtyre festimeve ne të inaugurojmë edhe këtë hapësirë, këtë park të mrekullueshëm”, theksoi Philippiddou.

Më pas, fjalën e mori kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cili e nisi me një legjendë që kishte të bënte me “floçkat” apo sirenat e shtojzovallet në shqip. Në këtë legjendë thelbi i mesazhit është se as njeriu dhe as liqeni apo natyra nuk mund të bëjnë dot pa njëra-tjetrën.

“E nisa pikërisht me këtë legjendë në të cilat Homeri i quante edhe si zonjat e liqenit, sepse këto legjenda i bashkojnë dy vendet tona. Doja të falënderoja kryetarin e bashkisë së Athinës, Bakoyannis. Dua të them se ky shesh i miqësisë së dy vendeve është një park rekreacioni që do t’i shërbejë sportit, artit dhe gjithçkaje tjetër. Ky vend është si një stoli për marrëdhëniet midis vendeve tona, sepse ju na keni qëndruar pranë edhe në ditë të vështira. Është gjithashtu një vend shumë i shëndetshëm i krijuar për qytetarët e Tiranës. Periudha e pandemisë ishte një moment i vështirë për ne, por gjithashtu ishte një moment edhe kur ky park nisi të ndërtohej, çka na mëson që të ringrihemi në momente të vështira. Ky shesh, apo siç quhej dhe quhet në greqisht “Agora”, është një qendër komunikimi, ekonomie, shoqërore dhe është zemra e qytetit. Agoratë janë edhe vendet ku mori jetë edhe parimi i demokracisë, thelbi i mendimit perëndimor dhe pikërisht në këtë ndjesi lirie u ngrit edhe ky park”, mbylli fjalën e tij Veliaj.

Më pas fjalën e mori edhe një ndër të ftuarit e veçantë kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis, i cili u shpreh i lumtur që ndodhej në sheshin Helen në Farkë, me Veliajn, që siç u shpreh ai “na rrëmben gjithmonë me dinamikën e tij”.

“200-vjetori i Revolucionit Grek nuk mund të festohej më mirë sesa duke e ndarë së bashku këtë festë. Gjërat që na bashkojnë janë më tepër se ato që na ndajnë, dhe ky park i mrekullueshëm dhe në këtë vend kaq të rrallë e tregon më së miri. Ky park do të shërbejë për argëtim, sport, kulturë dhe është një pikë takimi njerëzor. Ne jemi vetëm në fillim, pasi ky vend do të ketë përditshmërinë e tij tashmë. Falenderoj ambasadoren tonë me ekipin e saj, por edhe biznesmenët që e përqafuan këtë projekt, gjithashtu kryetarin Veliaj dhe ekipin e tij. Planet tona të përbashkëta janë që flamujt tanë një ditë të valëviten pranë njëri-tjetrit në Bashkimin Europian”, mbylli fjalimin e tij Bakoyannis.

Bakoyannis tha se është i entuziazmuar që ky park është hap i rëndësishëm për takimin e njerëzve që ka munguar shumë gjatë vitit të pandemisë. Urimi i fundit që bëri ishte për Shqipërinë që flamuri të valëvitet pranë flamurit grek dhe atij të BE.

Dëshiroj të shpreh gëzimin tim të madh që ndodhem këtu mes jush se takohem me mikun tim që na nderoi me ftesën që na bëri dhe gjithmonë na tërheq me dinamizmin, efektivitetin e tij por është dhe një gëzim i madh sepse nuk mund të mendoj një festë më të mirë e më të bukur për 200 vjetorin e luftës së grekëve për liri jashtë kufijve të Greqisë.

Vlerat e revolucionit grek, liria, demokracia, paqja, mirëqenia, përparimi kanë marrë rëndësinë e tyre nëse do të kemi mundësi t’i ndajmë të gjitha së bashku në këtë lagje të trazuar të Ballkanit. Jemi të dënuar nga historia, nga gjeografia, por edhe nëse nuk do ishim të dënuar, përsëri do zgjidhnim të bashkëjetonim sepse ato që na bashkojnë janë më të shumta se ato që na ndajnë. Ne ndajmë një gjë të përbashkët, kemi kode të përbashkëta komunikimi dhe nëse diçka është vërtetuar historikisht, është që sa herë bashkojmë forcat tona, trupin dhe shpirtin, atëherë mund të arrijmë shumë gjëra.

Ky park i mrekullueshëm në këtë vend me të vërtetë të bekuar, afër këtij liqeni të bukur, i dashur kryetar ndoshta e gjejmë më vonë atë shtojzovallen, besoj se është një hap i rëndësishëm se veç simbolikës, ka edhe esencë dhe kjo gjë është ajo që ne kërkojmë në pushtetin vendor, ato rezultatet e dukshme, të prekshme, argëtim, aktivitete sportive, kulturë, pra është një hapësirë e përbashkët pikëtakimi njerëzor që kaq shumë na ka munguar  nga kriza e pandemisë.

Ne pas pak minutash do të ikim dhe do të vijnë këtu fëmijët, prindërit e tyre, të rinjtë, kjo do të jetë përditshmëria e re dhe këtë përditshmëri synojmë ta kemi dhe në Tiranë dhe në Athinë. Në përfundim do të dëshiroja të them një falënderim të madh dhe ta përgëzoj ambasadoren tonë dhe ekipin e saj të mrekullueshëm, një pjesë të madhe të të cilëve e njoh nga e kaluara, të them një faleminderit të madh për të gjithë biznesmenët që e përqafuan këtë propozim, bashkëpunimin mes sektorit publik dhe privat dhe pikërisht të shkoj edhe një herë tek kryetari i Bashkisë, e falënderoj së bashku me ekipin e tij. Uroj që flamujt tanë të valëviten pranë njëri tjetrit dhe krah flamurit të BE. Faleminderit të gjithëve.

Dy kryebashkiakët zbuluan edhe pllakën e inaugurimit të parkut.

VERITAS.COM.AL