ARSEN RUSTAJ/

Rruga e Rinasit do të hapet me dy kalime. Pas protestës së banorëve dhe raportimit live për të katërtën ditë radhazi të Report Tv, që sot vërtetoi edhe se nuk ka asnjë rrugë alternative që të çonte fëmijët në shkolljë, ARRSH bëri me dije ekskluzivisht për Report Tv se vendimi është marrë ditën e sotme, ndërsa po studiohet mundësia e hapjes së një rruge të re për të çuar në aeroportin ‘Nënë Tereza’. Të njëjtat burime bëjnë me dije se janë hequr pengesat që të fusin nga Ahmetaqi në Rinas dhe mund të futen makinat.

Për të katërtën ditë me radhë, banorët e Rinasit janë ngritur në protestë duke bllokuar rrugën. Ata janë mbledhur në afërsi të shkollës 9-vjeçare ‘Rexhë Deliu’, ndërsa kërkojnë kthimin e rrugës me dy sense lëvizje, sikurse ka qenë para datës 1 maj.

Me thirrjen “duam shkollë, por shkolla rrugë nuk ka”, në protestë janë bashkuar edhe fëmijë, të cilët për të dytën ditë, kishin vështirësi të shkonin në shkollë.  Në mbështetje të banorëve kanë shkuar edhe deputetët demokratë Xhelal Mziu dhe Oerd Bylykbashi dhe Dhurata Çupi.