Ministria e Kulturës ka reaguar pas zbulimit të 4 mijë objekteve të trashëgimisë kulturore në një banesë në Tiranë, teksa u arrestua edhe pronari Artan Koçiu.

Në reagimin zyrtar, Ministria thotë se do të vijohet me procesin e verifikimit, pasi është ende herët për të dalë në përfundimin nëse këto objekte janë të vjedhura apo të humbura.

Sipas Ministrisë së Kulturës, shumë shpejt Shqipëria do të rikthejë në Maqedoninë e Veriut edhe 20 ikona, të cilat pas sekuestrimit rezultuan të ishin me origjinë pikërisht nga shteti fqinj.

Reagimi i plotë:

Falë bashkëpunimit të frutshëm ndërinstitucional u bë i mundur sekuestroja preventive e një sasie të konsiderueshme objektesh, një pjesë e të cilave, nga verifikimi paraprak, dyshohet të jenë pjesë e trashëgimisë kulturore.

Ministria e Kulturës, nëpërmjet institucioneve te saj te specializuara, ka bashkëpunuar ngushtësisht në nivel ekspertize me Policinë e Shtetit dhe është bërë pjesë aktive e procesit të identifikimit dhe iventarizimit të objekteve të sekuestruara: fotografimin, dhe regjistrimin e tyre. Do të vijohet me procesin e identifikimit, i cili do të zgjasë, deri në verifikimin e plotë dhe përfshirjen e tyre në databazën e objekteve të zhdukura.

Ministria e Kulturës ka ekspertizën e nevojshme në identifikimin e këtyre objekteve, krahas regjistrimit të tyre.

Është ende herët për të konkluduar nëse kemi të bëjmë me objekte të vjedhura apo te humbura, të përfshira në Regjistrin e Trashëgimisë sonë Kulturore, ndërkohë që një pjesë e tyre mund të jenë me origjinë të huaj.

Ministria e Kulturës falenderon Policinë e Shtetit për kontributin e dhënë në luftën kundër trafikimit të trashëgimisë sonë kulturore, një luftë të cilën po e intensifikojmë edhe më tej edhe pas ratifikimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me administrimin e bazës së të dhënave mbi objektet e vjedhura prej Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.

Aktualisht Ministria e Kulturës ka një bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Interpolin dhe të gjitha institucionet kompetente ndërkombëtare, në sensibilizimin dhe luftën kundër trafikut të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Shumë shpejt Shqipëria do të rikthejë në Maqedoninë e Veriut edhe 20 ikona, të cilat pas sekuestrimit rezultuan të ishin me origjinë pikërisht nga shteti fqinj.

I njëjti proces verifikimi dhe konfirmimi mbi origjinen e tyre do të kryhet edhe me objektet e sekuestruara së fundi