(FOTO: Altin Qato)/

4 ditë para ditës së votimeve, Altin Qato, Drejtor i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike ka njoftuar sot “Masat e Policisë së Shtetit për zgjedhjet e datës 25 Qershor 2017”.

Ai ka theksuar se puna e strukturave të Policisë së Shtetit, për përgatitjen e masave për sigurimin e zgjedhjeve ka filluar që në muajin Shkurt 2017.

“Punën tonë e kemi filluar me trajnimin e 7.040 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.  Për sigurimin e 5.362 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet paraprake të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim etj”, shprehet Qato.

Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 15 Qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, në afatin e përcaktuar:

  1. Listën me 5851 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.
  2. Listën me 276 automjete civile që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Përveç punonjësve të Policisë në Drejtoritë Vendore, nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë dhe Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit do të dërgohen 1356 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor; do të vihen në dispozicion 65 automjete.

Veritas.com.al/