I hapet rruga, për herë të dytë, shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Raporti i Komisionit të Ligjeve për ngritjen e Komisionit Hetimor që do të shqyrtojë kërkesën e 49 deputetëve të mazhorancës është miratuar me votën pro të 98 deputetëve. Kuvendi miratoi me 97 vota pro gjithashtu edhe përbërjen e Komisionit Hetimor, me kryetar Alket Hysenin, nënkryetar Myslim Murrizin, sekretare Klotilda Bushka dhe 6 anëtarë të tjerë.

Seanca e sotme u shoqërua me fjalime shumë të forta për çështjen e shkarkimit të Presidentit Meta. Për kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kjo nismë është një detyrim moral dhe kushtetues për mazhorancën. Balla tha se me këtë nismë synohet t’i hiqet turp i madh Shqipërisë me këtë President. Duke nënvizuar se kurrë institucioni i Presidentit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale së Meta, Balla kishte edhe një thirrje që shkon edhe për Lulzim Bashën. “Tashmë PD ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë”, tha Balla.

VERITAS.COM.AL