Kryeministri Edi Rama shprehet se kundërofensiva e AKSH-it dhe aleatëve në përballjen e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë, po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Rama nënvizon se agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje.

 “Nëse s’do kemi surpriza të tjera, shërbimet do rikthehen shumë shpejt!”, shkruan kreu i qeverisë.

Lajmi për sulmin kibernetik u bë i ditur një ditë më parë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Për këtë shkak, shërbimet online dhe sistemet qeveritare janë të mbyllura deri në neutralizimin e këtyre akteve kriminale.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Informacionit, sulmi i sofistikuar drejt sistemit të informacionit, vjen nga jashtë Shqipërisë.