I menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, pas incidentit të ndodhur në selinë blu – ku mbështetësit e Sali Berishës kanë sulmuar deputetin Roland Bejko.

Sipas Alibeajt, Berisha “do dhunë dhe gjak”.

“Berisha nxit demokratët të përplasen me njeri-tjetrin dhe vetë është fshehur. Turp!”, deklaron ai.

Për të, kjo është fytyra e vërtetë e Sali Berishës, “të dhunojë këdo që nuk mendon si ai”.

Alibeaj, ndërkohë, është marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës pas deklaratës së ish-deputetit, Spartak Braho se “një deputet me inicialet E.A., mund të vritet në protestës e sotme të thirrur nga Berisha”.

Bejko nga ana tjetër e ka cilësuar ngjarjen një “ngjarje të turpshme, e kërkuar nga Berisha”.

Çfarë po ndodh në selinë blu?

Kryetari i Partisë, Lulzim Basha, mëngjesin e 8 janarit, ka thirrur një mbledhje të Kolegjit të Kryetarëve.

Kjo, për të diskutuar mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë.

Ashtu siç pati deklaruar, Basha do të jetë në zyrë gjatë mbajtjes së protestës së thirrur nga Sali Berisha.

Ai shpesh e ka cilësuar protestën e thirrur nga Sali Berisha “luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe demokratët”.

Ndërkohë, për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Lulzim Bashës “nuk i ka mbetur qoftë një grimcë më e vogël e integritetit moral dhe politik”.

Berisha ravijëzoi se dyert e “blinduar do të hapen” dhe do të vendosen në një kamion “për t’u dërguar në shtëpinë e Bashës”.

“Ka të bëjë me zbatimin e parimit më themelor mbi të cilin ndërtohen organizatat e lira shoqëritë e lira. Ka të bëjë me parimin sipas të cilit shumica vendos”, deklaroi ish-kreu i Partisë Demokratike.