Prej disa ditësh po flitet rreth skandalit të krijuar nga biznesmeni Orest Sota, në makinën e të cilit u gjetën nga Policia 863 mijë euro dhe patentat e ish- ministrit të Brendshëm Tahiri që ndodhet nën hetim për pjesëmarrje në një bandë kriminale trafiku droge dhe armësh.

Dyshimet kanë rënë mbi mundësinë që 863 mijë euro të jenë marrë nga shtëpia e Saimir Tahirit pas bastisjes që i zoti i shtëpisë ka bërë me qëllim që të mos bien në duar të policisë që po kontrollon banesën.  Dyshimet i ka përforcuar fakti që në makinë ndodheshin edhe patentat e ish- ministrit.

Orest Sota, 25 vjeç, ka tentuar t’i shpëtojë kontrollit të policisë duke u larguar me shpejtësi të madhe. Pasi është kapur dhe kontrolluar në flagrancë, ai ka deklaruar se shumën e madhe të parave e mbajte për të bërë një pagesë në ‘Kurum’- kompani e prodhimit të çelikut në Elbasan. Edhe vetë Sota hyri me urgjencë brenda territorit të Kurum, me siguri për të ‘justifikuar’ arratisjen nga policia dhe shumën e  parave.

Më parë ishte rrëzuar pretendimi i tij para hetuesve se ‘nuk kam njohje me Saimir Tahrin’ në momentin kur media publikoi foto- dëshmi mbi takimet Sota- Tahiri.

Sot është rrëzuar edhe pretendimi se 863 mijë eurot i mbante në makinë për të kryer një pagesë në ‘Kurum’.

Kryetari i Degës së Financës në Kurum, Arif Shkalla,  ka deklaruar sot para hetuesve se ‘nuk prisin ndonjë pagesë nga Sota’. Ai ka përjashtuar kategorikisht se një shumë e tillë mund të ishte për kompaninë Kurum.

Administratorja e kompanisë, Lindita Kikino ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për një pagesë të tillë dhe se forma e pagesës në dorë “është e jashtëligjshme”. Kompania nuk ka pranuar dhe as pranon pagesa në ‘cash’ më shumë se 150 mijë lekë- ka thënë ajo.

Alibia e Sotës se 863 mijë euro ishin për pagesë në Kurum ka rënë para dëshmive të administratorëve të Kurum.

Veritas.com.al/