Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me një grup përfaqësuesish të bizneseve mbi amnistinë fiskale. Ai iu është përgjigjur reagimeve nga ndërkombëtarët sa i përket qëndrimit të tyre për këtë projektligj. Rama tha se qëndrimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë është mungesë respekti për sovrantitetin e vendit.

E pranishme është edhe Ministrja e financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e cila tha se amistia ka si qëllim të sjellë ekonomi të qëndrueshme.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se amnistia fiskale nuk është menduar sot, por është menduar që ditën e parë të mandatit qeverisës.

 Lajmi u bë i ditur gjatë konsultimit mes qeverisë dhe një grupi përfaqësuesish të bizneseve për amnistinë fiskale.

“Ne nuk e kemi menduar sot amnistinë, e kemi menduar që ditën e parë që kemi marrë mandatin qeverisës. Ishte një ide të cilës nuk i kishte ardhur koha si ligji për kanabisin mjekësor”, u shpreh fillimisht Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare u kujtoi partnerëve ndërkombëtarë se bota është në luftë dhe Shqipëria është pjesë e kësaj lufte.

“Ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria ka marrë një vendim me një kosto shumë të lartë. Nëse lufta zgjat përtej një limiti të caktuar mund të bëhet tërësisht e papërballueshme”, garantoi kryeministri shqiptar.

Ai kujtoi faktin që fatura e energjisë po i afrohet 500 eurove për MWh nga 50-60 që ishte para krizës dhe lufta nuk duhet të reflektohet në faturën e energjisë së familjeve dhe biznesit të vogël.

“Nga dalin këto para? Jemi të vetëdijshëm që paketa e parë për më të prekurit nga inflacioni. Halli vazhdon ndërkohë që paketa ka përfunduar”, vijoi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se ideja e ministrisë është një ide shumë e vjetër në Shqipëri, por asnjëherë nuk është i materializuar nga një presion i brendshëm dhe i jashtëm.

“Ato arsye nuk ekzistojnë më sot aktualisht. Shqipëria ka në vend një sërë strukturash të cilat garantojnë me efikasitet implementimin”, theksoi kryeministri.

Amnistia, sipas Ramës, përfundon në momentin që depoziton paratë dhe nëse gjendesh në kushtet e cilitdo subjekti që janë këtu, ato para sekuestrohen.

Kreu i qeverisë shqiptare garantoi se nëse personi del i lidhur me veprimtari kriminale, atij do t’i sekuestrohet pasuria.

Drafti

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri ka nxjerrë për konsultim publik draftligjin për amnistinë fiskale dhe penale.

Aty përcaktohet edhe procedura për deklarimin vullnetar të pasurive të paluajtshme apo pasurive të luajtshme.

Kështu pasuritë mund të deklarohen pranë njësisë së posaçme që do të ngrihet pranë Administratës Tatimore, nëpërmjet paraqitjes së formularit të deklarimit vullnetar.

Ato janë pasuri me burime të padeklaruara, të regjistruara në regjistrat publike, pasuri me burime të padeklaruara, por që janë në proces regjistrimi dhe pasuri me burime të padeklaruara për të cilat janë lidhur kontrata shitjeje që nuk janë paraqitur për regjistrim sipas legjislacionit përkatës të fushës.

Po ashtu pasuritë e deklaruara vullnetarisht, që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë, mund të legalizohen me pagimin e tatimit të posaçëm, që ky draftligj e përcakton në nivelin 7-10 %.

Ndërkohë, pasuritë e legalizuara në këtë mënyrë mund të përdoren dhe administrohen lirisht sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës.

Projektligji për amnistinë fiskale, deklarim vullnetar deri në 2 mln euro, tatimi deri 10%, legalizohen edhe pasuritë - Revista Monitor

“Për legalizimin e pasurive, subjektet e këtij ligji, personalisht apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, plotësojnë formularin për deklarimin vullnetar të pasurive dhe e paraqesin këtë deklarim tek autoritetet përgjegjëse doganore kufitare për kryerjen e procedurave doganore”, shkruhet në draftligj.

Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të legalizimit të pasurive nga ana e subjekteve përfituese, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si shkak apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të këtyre subjekteve.

Njësia e posaçme në DPT do të merret me të gjithë procesin për të evidentuar që në këtë nismë të mos përfitojnë zyrtarët, apo personat e inkriminuar, por në fakt ky është edhe ngërçi i këtij ligji, ndarja e pasurisë nga puna në të zezë dhe ajo kriminale.