Pas Gjirokastres, Kolegji Zgjedhor “vulos” rezultatin e zjgedhjeve të 25 prillit edhe për Vlorën. Në seancën e sotme Kolegji rrëzoi padinë e bërë nga PD dhe LSI lidhur me vendimin e KAS për rrëzimin e kërkesës për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve për Vlorën. Ky vendim u mor duke e konsideruar si të pabazuar në prova dhe në ligj kërkesën ankimore të PD-LSI.

Përfaqësuesi i PD në Kolegjin Zgjedhor Ivi Kaso tha se ky vendim nuk i dekurajon për të kërkuar çirimin e procesit zgjedhor nga shkeljet që sipas tij deformuan vullnetin e qytetarëve.

Kujtojmë seKAS vendosi te rrezoje edhe kërkesën e PD për prova shtesë nga institucionet e tjera publike, ndërsa pranoi kërkesën e LSI për të marrë informacion në sa qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja PEI në këtë qark.  Në qarkun e Vlorës PS ka dalë forcë e parë me një diferencë të thellua nga PD. PS ka marrë 8 mandate ose 57.9 % të votave dhe PD ka marrë 4 mandate  ose 31.4 % të votave. LSI humbi edhe mandatin e 2017 duke mos marrë asnjë në qarkun e Vlorës.

Vlora bëhet qarku i dytë, mes 9 të kontestuarve ku vulosen zgjedhjet e 25 prillit. Thuajse të gjitha vendimmarrjet e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ janë dërguar nga PD, LSI dhe Vetëvendosje në Kolegjin Zgjedhor. Me përfundimin e Gjirokastrës dhe Vlorës në Kolegj mbeten për tu gjykuar edhe 7 qarqe.

Nderkoaq theksojme se KAS dje ka përfunduar të gjitha ankimet për 25 prillin pasi dje rrëzoi kërkesat ankimore të PD dhe LSI për Korçën, Elbasanin dhe Fierin, të cilat ishin qarqet e fundit.  Tashmë radhën e shqyrtimet të ankesave e ka Kolegji Zgjedhor, i cili do të vulosë përfundimisht rezultatin dhe do t’i hapë rrugë certifikimit të tij për të konfirmuar 140 ligjvënësit e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë.

VERITAS.COM.AL