Gjykata e Posaçme e Apelimit kthen në detyrë gjyqtarin e pezulluar të Shkallës së Dytë të Vetingut, Luan Daci. Përmes një vendimi të shpallur përtej përfundimit të orarit zyrtar të së premtes, Apeli shfuqizoi vendimin e Shkallës së Parë për “pezullimin nga detyra” të Dacit.

Kjo masë ndaj anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit u mor dy javë më parë me kërkesë të SPAK, pasi ndaj tij nisi një hetim për “falsifikim të dokumenteve”.

Në sallën e gjyqit prokurori i SPAK kërkoi lënien të pandryshuar të masës, ndërsa avokatët e Dacit, Andi Dura dhe Jordan Daci, argumentuan se masa ishte e pabazuar. Sipas tyre, një anëtar i KPA mund të pezullohet vetëm me një vendim të mbledhjes së anëtarëve të Kushtetueses, masa e pezullimit mund të kërkohet vetëm ndaj një të pandehuri dhe jo një personi nën hetim dhe se vepra penale që i ngarkon SPAK Dacit nuk ekziston. Vetë Daci mohoi akuzën edhe jashtë sallës së gjyqit.

Sipas SPAK, gjyqtari Daci ka paraqitur të dhëna të rreme, kur ka aplikuar për t’u bërë pjesë e trupës së KLP në vitin 2017, duke mos deklaruar faktin se kishte një masë disiplinore “largim nga puna”.

Vendimi i treshes së Apelit të Posaçëm, Dhimitër Lara, Nertina Kosova dhe Sokol Binaj kthen në detyrë gjyqtarin Daci, por nuk ndërpret hetimin e nisur nga SPAK ndaj tij për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.

VERITAS.COM.AL