Kryeministri Edi Rama në një intervistë për ‘The Sunday Times’ u shpreh se ende nuk ka një mënyrë që t’i transportojnë njerëzit nga auroporti, madje dhe shtetet e mëdha duken të çrregullta. Kjo mungesë koordinimi është dhe një nga arsyet se pse po vonon ardhja e refugjatëve afganë në vendin tonë. Kreu i qeverisë ka kritikuar edhe vendet e evropës që sipas tij luftën e kanë parë nga fuilmat, ndërsa shqiptarët kanë përjetuar regjimin komunist dhe emigrimin.   

Kryeministri Edi Rama është bërë protagonist i mediave ndërkombëtare, pas vendimit për strehimin e refugjatëve afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre pas marrjes së pushtetit nga talebanët. Në një intervistë për ‘The Sunday Times’, kreu i qeverisë ka folur për vonesën e ardhjes së refugjatëve afganë, ku tha se evakuimi nuk po ndodh siç ishte planifikuar. Rama tha se në Afganistan nuk ka një koordinues dhe se nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh për evakuimin dhe secili shtet po punon për veten. Kryeministri thotë se ende nuk ka një mënyrë që t’i kalojnë njerëzit, madje dhe shtetet e mëdha duken të çrregullta. Kjo mungesë koordinimi është dhe një nga arsyet se pse po vonon ardhja e refugjatëve afganë në vendin tonë.

“Duket se nuk ka një koordinues atje, nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh, nuk ka asgjë, vetëm secili për veten! Shumë shtete po kërkojnë një pikë kontakti të përbashkët, e lëre më organizatat humanitare që nuk e dinë kujt t’i drejtohen. Ende nuk ka asnjë mënyrë për t’i kaluar njerëzit nëpër porta nëse nuk je një shtet i madh, madje edhe për shtetet e mëdha duket mjaft e çrregullta. Kjo është arsyeja pse të gjitha organizatat janë të bllokuara. Shtetet e mesme ose të vogla nuk janë në gjendje të evakuojnë njerëzit siç ishte planifikuar”, tha Rama. Kreu i qeverisë ka deklaruar më tej për gazetën britanike se shqiptarët ishin afganët 30 vite më parë, ndërsa u përpoqën që t’i shpëtonin regjimit të asaj kohe. Rama tha ai ndjen përgjegjësisë e tij për t’i strehuar, duke shtuar se ne si vend kemi pasur luftën në derë dhe se kemi parë njerëz të vrarë. “Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane“, tha ai, duke shtuar se “për shqiptarët konflikti, uria dhe shpërngulja ishin përvojë në kujtesë. Për ne, lufta ka qenë shumë e vërtetë. Ne kemi pasur luftë në derën tonë. Ne kemi parë njerëz të vrarë dhe kemi pasur njerëz që njohim që janë vrarë”, tha Rama.

‘The Sunday Times’ i rikthehet sundimit të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, ku thekson se për dekada shqiptarët iu nënshtruan një represioni brutal dhe vendi u bë më i varfri dhe më i izoluari në Evropë. Kur regjimi komunist ra në 1990, pesë vite pas vdekjes së Hoxhës, vendi u kap nga valët e trazirave dhe dhunës. “Për ne është shumë e qartë”, tha Rama. “Ne kemi qenë afganë tre dekada më parë kur ikëm nga ferri ynë! Pra, tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë dhe ne duhet të jemi atje si të tjerët për ne”, shtoi ai.

Në një intervistë të mëparshme kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pritet të mbërrijnë rreth 1000 afganë, teksa hodhi poshtë çdo mundësi strehimi në kampe të krijuara posaçërisht për ta, pasi sipas tij do të ishte çnjerëzore. Konviktet në Qytetin Studenti kanë gati 1200 shtretër, ndërsa grupi i parë i afganëve që do të vijnë do të jetë prej rreth 300 personash. Përveç Tiranës dhe Durrësit, edhe Berati do të hapë dyert për të pritur afganët.

Në Tiranë do shërbejnë konviktet e Qytet Studentit si strehë për bashkëpunëtorët e perëndimit në Afganistan, në Durrës do të jenë hotelet, teksa në Berat do të vendosen në hotel “Colombo”, ish-universiteti “Ufo”. Shqipëria është në mesin e 12 vendeve që kanë pranuar deri tani të strehojnë, të paktën përkohësisht, refugjatë afganë. Kurse të paktën 14 vende kanë pranuar të veprojnë si rrugë tranziti për të evakuuarit. Kështu ka deklaruar Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një deklaratë për shtyp. Blinken tha se afganët që mund të përfitojnë nga statusi i refugjatët nuk kanë kaluar ende procesin e kontrollit për t’u vendosur në SHBA dhe do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kanada, Kolumbi, Kosta Rika, Kili, Meksikë, Poloni, Katar, Ruandë, Ukrainë dhe Ugandë. Vendimi i Shqipërisë për të strehuar qindra afganë, të cilëve u rrezikohet jeta nga talebanët, ka gjetur mirënjohjen e SHBA-së. Edhe diplomatja Yuri Kim, Komiteti i Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright shprehën një zëri se janë krenar që Shqipëria është mike dhe aleate e SHBA-së, pasi në raste të rëndësishme populli shqiptar gjendet gjithmonë pranë amerikanëve për shpëtimin e jetëve.