Nga Astrit Patozi/

Dha dorëheqjen vetëm një orë pasi të shqyrtohej për të disatën herë mandati i tij në KQZ-në e keqpërdorur shumë fort nga qeveria. Me një letër prekëse, për të cilën nuk ka as edhe një shqiptar të vetëm që nuk e di se nuk e ka shkruar vetë. Sepse Armando Prenga nuk ka asnjë lidhje me tekstin dhe fjalën, me gjuhën dhe kulturën. Ai ishte deputet në parlament deri dje për një zanat tjetër, të cilin e kishte ushtruar me mjeshtëri edhe mu në mes të qytetit.

Nuk ngutem të them me siguri që letrën e Prengës u ul dhe e shkroi me dorën e vet Edi Rama, por jam shumë i sigurt që ajo u hartua besnikërisht me porosi të tij. Por, sipas meje, është shumë e rëndë përmbajtja e letrës dhe mesazhi i saj, se të gjitha ato që mund të ketë bërë në jetë Armando Prenga.

Ai na tha sot me dorën dhe gojën e dikujt tjetër që po ikën nga parlamenti, sepse u mërzit prej tij, dhe jo se nuk është më i denjë për atë sallë. Se atë e kishin shqetësuar kot me akuza në parlament, por jo se ai i kishte hyrë ndonjëherë në hak parlamentit. Një Zot e di pse nuk kanë shkruar që duhet t’i kërkojmë edhe falje atij, që po ikën nga deputet vetëm për hir të qetësisë së familjes.

Sepse, mesa duket, në koordinim të plotë me KQZ-në, Edi Rama ka dashur ta kursejë atë nga vendimi i pashmangshëm i skadimit te mandatit për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Është njësoj sikur dikë, që është kapur duke vrarë, jo vetëm ta ndihmosh që t’u ikë nga duart policëve, por edhe t’i japësh një pistoletë, që të qëllojë sërish.