Pasi KPK vendosi largimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Broci, gjyqtari lëshoi një deklaratë ku e cilësoi KPK-në si komisarët politikë të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij nuk dolën dot nga urdhrat politikë. Ai theksoi se kishte provuar se të ardhurat e tij ishin të ligjshme, ndërsa paralajmëroi se beteja e tij ligjore do të vazhdonte deri në fund.

REAGIMI I BROCIT:

“K.P.K si komisaret politik te kryeministrit nuk dolën dot nga urdhrat politik.

U provova se te ardhurat e mija janë te ligjshme te konfirmuara nga Tatimet, kalova ne pikëpamjen time te tre testet Pasuror, Profesional dhe Figurën por nuk kalova dot testin e nënshtrimit për çështje te caktuara dhe atë te Kryetarit te Këshillit te Emërimeve ne Drejtësi.

Beteja ime ligjore do vazhdoje deri ne fund. Faleminderit!”.

HETIMI

Gjatë hetimit të thelluar, KPK konstatoi se Artan Broci ka probleme me shtyllën e pasurisë, pasi ka rezultuar me mospërputhje çmimesh për një apartament që ka blerë dhe ka shmangur taksat.

Gjyqtari u mbrojt duke u shprehur se ka paguar detyrimet, por zyra e tatimeve nuk jep të dhënat. Gjykatësi u tha se ka marrë notë pozitive për aftësitë profesionale dhe se nuk ka kontakte me njerëz të krimit. Artan Broci e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai e ushtroi funksionin pranë kësaj gjykate deri në vitin 2010, kur u promovua në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në prill të vitit 2013, Broci u dekretua anëtar i Gjykatës së Lartë.

Veritas.com.al/