Frrok Çupi/

Çfarë duan artistët në këtë revoltë të ditës?

E para, duan bukën e gojës. Njëri prej më të njohurve të skenës së filmit tha sot gjatë revoltës, se paga e një artisti është më e vogël se e një punëtori në ministri. Artistët shfaqen ‘për turpin’ tonë; vishen keq, blejnë o te Gabi o njerëzit e tyre marrin në kishat e Italisë; trashen sepse ushqehen keq dhe pinë alkool të dorës së fundit; firojnë, sepse ndjehen në nxitim për të mbyllur jetën dhe jo për të lexuar libra. Vetëm një artiste shqiptare ka mbetur ‘Mbretëreshë’ e vetvetes dhe jona,  që nga krenaria, nga kultura, nga shfaqja dhe nga arti. Por nuk ka të dytë si Tinka Kurti.

E dyta, duan të kenë qendër teatrale. Një seli të teatrit Kombëtar që më parë e kishte nofkën ‘Popullor’ (njësoj si Fronti Popullor, Drejtësia Popullore, Republika Popullore…), edhe atë e kishte ndërtuar ushtria e Duçes së Italisë në orët kur donte të argëtonte infermieret e garnizoneve të veta. Por edhe kjo ka ‘hije’ të mirë për të ndërtuar një pallat të lartë me qëllim që një zyrtar shumë i lartë i shtetit të pasurohet edhe më shumë. Gjithë bota moderne e ka policentruar Teatrin; në çdo lagje të qytetit ke një teatër. Këtu edhe godinën e Duçes duan t’a lënë të vetme dhe ta çojnë në një skërkë.

E treta, duan dinjitet. Dinjitetin artistët, në fakt, nuk  e mbajnë për vete, por e ndajnë me shoqërinë. Për shembull, sa më dinjitoz të jetë arti i një vendi, aq më e lartësuar është shoqëria. Jemi i vetmi komb mes kombeve ballkanikë, që akoma nuk kemi një ‘Nobelist’. As kemi për ta pasur kurrë. Sapo u përmendën emri i Fishtës dhe i Kadaresë si kandidatë, u desh të tërhiqeshin; njërin e gjuajtën me gurë si ‘anti- kombëtar’ dhe tjetrin si ‘spiun’.

Artistët duan…, por më parë duan të duken para publikut, ose para ‘popullit’. Ashtu e kanë produktin këto specie: Që duke u dukur, aty japin  vlerë.

Artistët e kanë kot.

Një pjesë e tyre, sentimentalët dhe moralistët, e dinë se kjo që po iu bën shteti, është inat kundër tyre. Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është kotësia e parë. Këta nuk i ka askush inat, sepse askush nuk i njeh. Shteti thjesht i ‘mbron’ nga inati dhe analiza e të tjerëve, i mbron duke i zhytur diku në një tryezë me raki dhe cigare. A keni dëgjuar që në vendin tonë të kenë ankesa për fenomenin ‘Weinstein’- producent hollivudian i akuzuar për ngacmime seksuale?… Jo. Ku ka takat një artist të merret me punë kaq të fisme sa djalli?! Ata shtyjnë jetën në errësirën ku i kanë futur.

Artistët e kanë kot kur thonë se qeveria nuk iu kushton vëmendjen më të thjeshtë. Artistët, akademikët, intelektualët…, janë si foshnjë e një nëne që i ka harruar brenda në makinë dhe për vete ka hyrë në një music-club . Sa bebe janë asfiksuar në këtë mënyrë, një zot e di!  Kujdestari ka punë të tjera, ose mendjen të tërbuar.

Ku e ka mendjen kujdestarja qeveri në këtë moment?

Duhet të japë llogari te George Soros se si po e zbaton vijën e tij. (Artistët shqyhen duke thënë ‘llogari te populli!’… Po- po, në atë krah flini). Kohët e fundit po vërehet se Soros po ul Ramën dhe po pompon Veliajn. Atëherë si do ta ketë qeveria mendjen te ‘foshnja në makinë”?  Kujdestarja e ka mendjen te narkotikët… Direktiva e Soros ishte që të mbillet vetëm narkotikë, por të mos zbulohet- e para-; tu jepet në dorë liderëve të BE dhe të mos shkojë në duar bregdetarësh italianë; të mblidhen paratë dhe diçka t’u jepet edhe skllevërve, me qëllim që të ‘mos na e çajnë kokën”, dmth., padronit… Por edhe këtë nuk e bënë mirë këta këtu,dhe prandaj nuk mund ta kenë mendjen te artistët

Kujdestari tani është në ‘tunel’, aty po paketon krimin e vet. Jo ‘po e paketon’ për ta hedhur në lumë; jo! Po e paketon për të gjetur mënyrën si do ta mbulojë… Ta mbulojë jo nga artistët, as nga ti e unë, as nga populli shqiptar…, por nga përplasja e madhe botërore. Bota ndodhet para një përplasje të afërt e të fuqishme. Në këtë suazë këta kanë zgjedhur që ta mbulojnë krimin me një konflikt ballkanik, të nisur nga ndryshimi i kufijve. Po nisi lufta, atëherë krimi shpëtoi, por edhe këta mund të quhen heronj…

Ndërsa artistët mendojnë se “kanë të drejta”. Kot!

Veritas.com.al/