Në vitin 2005, Sali Berisha do të rikthehej si Kryeministër duke frymëzuar shumë shqiptarë të elektoratit gri me motoni e tij ‘Me duar të pasta”.

U desh vetëm një vit në krye të qeverisë për ta kuptuar se përse ishte rikthyer. Ndër vendimet e para që do të merrte nuk ishte arrestimi i kupolës socialiste që s’kish lënë epitet pa i vendosur. Sali Berisha, shkurt dhe qartë, nxori në shitje me ligj Shqipërinë për 1 euro metri.

Në atë kohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar e kritikoi ashpër dhe i bëri thirrje të ndalej. Ajo kërkonte transparencë për skemën e Sali Berishës dhe mbi të gjitha, të shënohej në buxhet kostoja reale e pronave që do të jepeshin me 1 euro. Kjo nuk ndodhi sikurse as investitorët që do të thitheshin si me magji nga kjo shpikje brilante nuk erdhën. E gjithë skema u përdor që klientet e Sali Berishës, monopolistët dhe zyrtarët e lartë të merrnin për një çapë bukë pronën publike. Dhe të gjithë jemi dëshmitarë më pas sesi u tjetërsuan këto toka e objekte në sheshe ndërtimi.

Sot, Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë kombinuar daljet e tyre publike edhe pse në një mënyrë të trashë dhe aspak joshëse. Mjafton të hapësh televizorin në mesditë dhe porsa mbaron Berisha konferencën për shtyp, shfaqet Meta. I pari lëshon akuza si për të na vërtetuar më tepër se asgjë nuk ka ndryshuar tek ai. I dyti nxjerr dhe disa letra që i shkarkon në internet, në faqet zyrtare të ministrive dhe i paraqet si shkresa koenfidenciale. Të dy i bashkon e njëjta temë: Projekti i Portit të ri të Durrësit.

Pasi dështuan të tmerronin NATO-n se qeveria shqiptare do t’i vidhte paratë nëse benin bazë në Porto Romano, tani i janë qepur një investitori të njohur nga bota arabe. Shtatë variante ka thënë brenda një viti dyshja që e nxori vendin në shitje për një euro, për ta blerë po ata. Një herë hapën shampanjë për lajmin që shpikën vetë se Mohamed Alabbar u tërhoq nga projekti në Durrës dhe e la Edi Ramën batall. Pastaj thanë se është një kompani nga ishujt Kejmen.

Sot, pasi investitori i njohur doli në një intervistë për të sqaruar projektin, i kërkojnë llogari: A ke bashkëpronarë të tjerë dhe cilët janë? Po pse e gjithë kjo luftë me Portin e ri të Durrësit? E kanë me Edi Ramën apo Mohamed Alabbar? Me gjasë, me këtë të fundit. Këta nuk janë mësuar me investitorë, por me klientë. Që nga Rruga e Kombit, tek CEZ-i e Rapiscani.