Qyteti i Shkodrës është zgjuar sot nga krismat me armë zjarri. Naim Bajri, 68 vjeç u ekzekutua teksa po pinte kafe nga një mjet në lëvizje. Atentati u regjistrua rreth orës 07:20, në vendin e quajtur ‘Merkata e Rusit’, në lagjen ‘Partizani’.

Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja mëson se Bajri po pinte kafe me punëtorin e tij Astrit Zeneli, i cili mbeti i plagosur dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. 68-vjeçari punonte pranë ‘Merkatës së Rusit’ ku tregtonte prodhime deti.

Ndaj Bajrit është qëlluar 10 herë, ndërsa autorët pas ekzekutimit janë larguar me mjetin tip ‘Benz’, i cili u gjet i djegur pak më vonë në afërsi të Bypassit të Shkodrës. Report Tv ka siguruar edhe pamjet nga vendi i ngjarjes, ku viktima ishte ende i shtirë në tokë i mbuluar me çarçaf të bardhë.

Hakmarrja dyshohet të jetë pista kryesore e hetimeve, kjo për shkak se viktimës Naim Bajri në vitin 2001 i kanë vrarë të birin Indit Bajrin. Vrasësit e Indrit Bajrit kanë qenë Xhabir Shega, Ilmir Hajdari dhe Kujtim Barbullushi. Xhabir Shega është ekzekutuar në vitin 2015.

Policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve, ndërsa vijon krehjen e zonës. Në ndihmë të FNSH dhe Policisë Shkodër kanë shkuar edhe forcat RENA.