Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka shprehur sot hapur se SHBA mbështet nismën rajonale ‘Ballkani i Hapur’. Me një postim në Twitter, Yuri Kim i ka bërë ftesë që kësaj nisme t’i bashkohen edhe vendet që deri më tani kanë hezituar, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, teksa thotë se ‘Ballkani i Hapur’, duhet të jetë i hapur të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

“SHBA gjithashtu mbështet Ballkanin e Hapur (i cili duhet të jetë i hapur për të 6 vendet e Ballaknit perëndimor) dhe nisma të tjera që promovojnë integrimin real”, shkruan Yuri Kim.

Teksa ka shpërndarë deklaratën e një dite më parë të zv.sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar që bëri thirrje për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut, Yuri Kim thotë se SHBA mbështet hapjen e negociatave para fundit të vitit 2021.

“Përkushtimi i SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor mbetet i fortë, duke përfshirë mbështetjen për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para fundit të vitit 2021”, shkruan ambasadorja.

Mbështetjen e SHBA për ‘Ballkanin e Hapur’ e deklaroi një ditë më parë edhe Escobar, i cili mes të tjerash tha se një treg i përbashkët mes vendeve të rajonit do të rriste investimet amerikane.