Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka konfirmuar vendndodhjen e burimit të hidrokarbureve (naftë dhe gaz) të cilën e ka zbuluar kompania Shell.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi Euronews Albania, duke cituar intervistën me zyrtaren shqiptare.

“Shell ka gjetur naftë dhe gaz në malin e Shpiragut në Berat. Pritet të ketë një analizë të hollësishme të mënyrës sesi ky hidrokarbur do të dalë nga nëntoka”, theksoi fillimisht Balluku.

Sipas saj, në mars të vitit 2023 do të ketë më shumë detaje për këtë zbulim.

“Shell ka goditur tashmë një artierie shumë të rëndësishme, e cila është e përbëre nga naftë dhe gaz, ky është një fakt. Në këto momente, faza finale është faza analitike e mënyrës sesi do nxirret i gjithë ky hidrokarbur në mënyrë efiçente”, vijoi sqarimin ministrja.

Referuar kësaj të fundit, kjo fazë kërkon një plan shumë të mirë pune, të cilën Shell do t’ia dorëzojë ministrisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Në përmbyllje, Balluku solli në vëmendje se bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm, i cili do pasojë zbulimin – rreth 6 deri në 7 miliardë euro.

Kjo shifër, shtoi zyrtarja, ka për synim ngritjen e infrastrukturës dhe logjistikës që do shërbejë për nxjerren, përpunimin dhe shpërndarjen e hirdokarbureve të zbuluara në këtë zonë.

Disa muaj më parë, në media qarkulloi lajmi se zbulimi i një zone nafte në Berat ka tërhequr kompaninë Shell Oil për të rritur investimet në Shqipëri.

Shell deklaroi se në zonën e Shpiragut ekspertët kanë zbuluar një fushë nafte, e cila ka edhe gazin natyror.

“Nga operacionet e kërkimit në Berat, ne kemi pasur sukses pas zbulimit të një fushe të naftës në Shpirag. Megjithatë, ne nuk posedojmë të dhëna për rezervat e naftës dhe gazit natyror në këtë fushë”, u tha asokohe.