Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri një propozim kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, për të zgjidhur ngërçin për reformën në drejtësi. Basha tha se marrëveshja u arrit nga ekspertët gjatë bisedimeve që zgjatën deri në orën 2 pas mesnate, por u prish nga Rama kur ajo po hidhej në letër. Sipas tij, prishja e marrëveshjes është pjesë e “panit ogurzi” të Edi Ramës për të mos e lejuar PD –në të bashkojë votat për reformën.

Basha tha se votat e PD janë pro reformës dhe u shpreh se opozita është gati ta votojë që të enjten në parim draftin, përveç dy çështjeve për të cilat nuk është rënë dakord.

“Kjo është një përpjekje ogurzezë për të shkatërruar konsensusin dhe është në frymën e Edi Ramës. A e shpalli dje në pallatin e brigadave projektin ogurzi pasi ramë dakord në Kryesinë e Kuvendit, për të mos e lejuar PD –në për të bashkuar votat për Reformën në drejtësi.

Negociatat kanë treguar se kush e do dhe kush nuk e do. PD i ka votat gati për të votuar në parim draftin kushtetues dhe më pas nen për nen 7 ligjet dhe gjithë paketën. Dy çështjet, nëse nuk zgjidhen sot, i kam bërë thirrje kryetarit të kuvendit që bashkërisht ta zgjidhim në Bruksel, për të shpartalluar pranin ogurzi të Ramës”.