Ndodhi ajo që pritej: Me gjithë demokracinë e ofruar me përulësi nga kryetari Basha gjatë zgjedhjeve që u konsideruan një ‘farsë’ në PD, tani që ‘u zgjodh’ iu ka treguar dhëmbët kundërshtarëve të tij, personalitete politike në PD

Grupi  për ngritjen e PD kërkon mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar për ndryshime në PD, pas humbjes së thellë të 25 qershorit, por Basha iu ka kthyer përgjigje se  “zgjedhjet e reja do të zhvillohen vetëm në shtator të vitit që vjen”.

Të vetmit që i përfundoi mandati ishte ai i kryetarit Lulzim Basha, i cili u rikonfirmua sërish në këtë post në 22 korrik 2017. Kuvendi i PD-së zhvilloi punimet 4 vite më parë, ku anëtarësia e Këshillit Kombëtar në datën 27 shtator 2014 zgjodhi forumet e reja drejtuese, dy nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe sekretariatin e ri të PD-së. Në bazë të statutit të partisë, mandati i tyre katërvjeçar përfundon në shtator të vitit që vjen. Ndaj, sipas drejtuesve aktualë të PD-së, nuk mund të ketë zgjedhje jashtë asaj çfarë parashikon dokumenti themeltar i PD-së, statuti i saj.

Madje, para disa ditësh sekretari organizativ  i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, bëri të qartë se në muajin shtator nuk do të ketë zgjedhje për kupolën drejtuese të Partisë Demokratike, por puna sipas tij do të fokusohet vetëm tek analiza për humbjen e 25 qershorit. Bozdo kërkoi gjakftohtësi dhe maturi në bërjen e analizës, pasi sipas tij, nga këtu duhet të fillojë ringritja e PD.

Pak ditë më parë grupimi për “Ringritjen” e PD bëri me dije se do të vijojë për një përpjekje serioze e konstruktive brenda PD-së për demokratizimin e brendshëm të partisë, për rikthimin në vlerat themelore të kësaj partie, për konsolidimin e saj ideologjik, për të dhënë shpresë për PD-në dhe vendin. Gjithashtu në njoftim thuhej se anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe kryesisë së PD-së, dhe anëtarë të PD-së në të gjithë degët e saj mbarë Shqipërisë janë të detyruar të marrim unanimisht vendimin për vazhdimin e lëvizjes për bashkimin dhe demokratizimin e Partisë Demokratike nga brenda radhëve të saj. Në deklaratë kërkohej edhe analiza e humbjes së zgjedhjeve dhe votave në 25 qershor.

Veritas.com.al/