Kryetari i PD, Lulzim Basha doli në një prononcim për mediat menjëherë pasi kryetari i LSI, Ilir Meta deklaroi se palët duhet të gjejnë konsensusin nëse PD ka vërtet vetëm një kusht.

“Ne kemi vetëm një kërkesë, siç ka qenë zotimi im dhe zotimi i Edi Ramës në Uashington. Është zbatimi i rekomandimit 88 të Komisioni të Venecias. Nëse pala tjetër bie dakord, jemi gati ta miratojmë që sot. Nëse nuk bie dakord: tungjatjeta, mirupafshim kur të bien dakord.”

Deklarata e Bashës vjen pasi Meta tha se nuk do të votojë një reformë pa konsensusin e PD. Kryetari i LSI u shpreh i habitur që nuk ishte gjetur konsensusi, nëse çështja kishte mbetur vetëm tek kjo kërkesë e opozitës, mbështetur në rekomandimet e Venecias.

Kryeministri Rama deklaroi dje se nuk do ta pranonte kurrë këtë kërkesë të opozitës për vende të rezervuara për dy institucionet e vetingut, ndonëse theksoi se e njeh shprehjen politike “kurrë mos thuaj kurrë”.