Para tre ditësh, kryeatri i Opozitës, Lulzim Basha, ka artikuluar frazën që përbën trendin e kohës pas Brexit dhe fitores së Trump, se gjithçka do të ndryshojë; “asgjë nuk do të jetë si më parë!”. Deklaratën e përsëriti zoti Basha, me sa duket për t’iu përgjigjur trysnisë që ushtrojnë mbi protestën elementë të qeverisë dhe “analistë” të mediave pranë qeverisë. Këta analistë, zoti Basha i quajti analistë që “kërcejnë hu më hu!”.

-Ne nuk kthehemi në Kuvend!- përsëriti Basha- para se të krijohet qeveri teknike dhe të bëhen zgjedhje të lira e të drejta.

Sot në protestën popullore përballë selisë së qeverisë kishin ardhur edhe përfaqësues të naftëtarëve, të cilët janë keqtrajtuar nga qeveria dhe nga pronarët e rinj; ata nuk marrin pagat dhe disa detyrohen të shkojnë drejt vetsakrificës.

“I them Edi Ramës dhe analistëve që kërcejnë hu më hu se asgjë nuk do të jetë si dje, asgjë nuk do të jetë si më parë- tha Basha.- Nuk ka kthim pas, nuk ka kthim në parlament pa plotësuar kushtin: qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Unë nuk jam lider i kësaj kauze, unë jam ushtar i saj. Protesta nuk ndalet”, deklaroi Basha.

/Veritas.com.al/