Nga Brixhilda Xhuraj/ AP

Kryedemokrati Lulzim Basha, në një intervistë për median “ABC News”, ka deklaruar se, edhe të pezulluarit nga vendimi i 11 janarit janë në fakt të përjashtuar nga Partia Demokratike.

“Të gjithë janë të përjashtuar, por të pezulluarit kanë një mundësi të distancohen nga dhuna. Distancimi i tyre do të vlerësohet nga institucionet e partisë”, shpjegoi ai.

Basha ka theksuar se funksionarët e PD-së ishin në krye të detyrës më 8 janar, kur Sali Berisha drejtoi një “organizatë kriminale, që synonte vdekjen”.

“Sali Berisha është përjashtuar me unanimitet, pasi nuk u soll si një politikan, por kriminel”, deklaroi kreu i selisë blu.

Nuk kanë munguar as akuzat për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin tha se bashkë me Sali Berishën “duan të shkatërrojnë Partinë Demokratike”.

Kështu Basha hodhi poshtë edhe mundësinë e bashkëpunimit me mazhorancën.

“Për ne është e qartë: beteja është midis të shkuarës dhe të ardhmes. Demokratët kanë folur qartë në Kuvendin Kombëtar, kanë folur qartë në aktet dhe veprimet e tyre”, tha ai.

Pezullimi dhe përjashtimi

Tetë anëtarët e përjashtuar, janë: Sali Berisha, Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Një seri emrash gjithashtu janë pezulluar përkohësisht nga organet e demokratëve.

Ndër këta të fundit, bëjnë pjesë emra të rëndësishëm, si: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Edi Paloka, Tritan Shehu dhe Oerd Bylykbashi.

Kjo lëvizje e Bashës dhe kryesisë së demokratëve është edhe ajo më drastike, pas protestës së zhvilluar nga Berisha dhe mbështetësit e tij më 8 janar në selinë blu.

Duket se kreu dhe strukturat e PD-së nuk e kanë toleruar mësymjen e godinës nga ish-kryeministri i vendit, ku u dëshmuan skena dhune e vandalizmi, deri në ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, e cila pastroi zonën dhe i shpërndau demonstruesit.

Vendimi, po ashtu, erdhi thuajse ekzaktësisht katër muaj, pasi Basha e pezulloi Berishën nga Grupi Parlamentar.

Saga Basha-Berisha

Një sagë e vërtetë që prej majit 2021 – ditë kur Sali Berisha u shpall si persona non grata nga SHBA-të – ka nisur brenda PD-së, në etapa të ndryshme.

Fillimisht, replikat ndaheshin në distancë, mes Berishës, Bashës dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Më pas, me vendimin e Bashës më 9 shtator, një ditë përpara fillimit të punimeve të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, Berisha nisi replika të fuqishme me kreun e demokratëve dhe vendosi të ndërmarrë një seri foltoresh në gjithë Shqipërinë.

Nën pretendimin se ai kishte mbledhur mbi 4 mijë e 400 firma nga delegatët, ish-kryeministri thirri një Kuvend Kombëtar të PD-së, më 11 dhjetor 2021.

Aty, ndër të tjera, u vendos edhe shkarkimi i Bashës nga detyra. Gjë, që Berisha pretendoi se e legjitimoi me anë të një referendumi në anëtarësi, më 18 dhjetor.

Po në këtë datë, Basha thirri Kuvendin Kombëtar të PD-së – sipas statutit – ku u vendos përjashtimi nga strukturat i atyre të përcaktuar si non grata nga Departamenti i Shtetit.

Me secilin nga politikanët të vetëlegjitimuar, Berisha iu kthye rrugës, duke thirrur protestën e 8 janarit.

Mirëpo, qëllimin për të rrëzuar Bashën e për ta nxjerrë nga selia, nuk e arriti. Tashmë, është Basha, ai i cili e nxjerr Berishën përgjithmonë jashtë PD-së.