Nga Ylli Manjani/

Bashkimi i Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme (ZRPP/ Hipotekat) me ALUIZNIN është një ide racionale. Prej vitesh këto dy zyra kanë patur probleme në bashkëpunim ndërmjet tyre kështu që bashkimi i tyre nën një komandë është apriori pozitive si ide. Në thelb qëllimi i shërbimit është i njëjtë: regjistrimi i pronave që qytetarët efektivisht posedojnë. Dallimi është se ZRPP e bën këtë gjë në zyrë, kur pret pronarët të provojnë origjinën legjitime të krijimit të pronës; ndërsa ALUIZNI shkon në terren dhe verifikon e rregjisteon pronën që pronari e ka të ndërtuar pa leje. Që këtu krijohet një përplasje jo e vogël sepse hartat e ZRPP që pret në zyrë, shpesh nuk janë e njëjta gjë me hartat dhe të dhëna të tjera të lidhur me to, që sjell ALUIZNI nga terreni. Bashkimi i këtyre të dhënave që vijnë nga nga terreni në mënyrë zyrtare me të dhenat që gjenden në ZRPP do të ishte në fakt thelbi i përditësimit të informacionit zyrtar mbi pronën në vend. Pra sido që ta shohësh këtë ide është pozitive. Por suksesi i funksionimit të saj varet edhe nga disa masa të tjera ekzekutive që duhen marrë. Më të rëndësishmet janë:

  1. Në koncept bashkim do të thotë përfshirje të ALUIZNIT nga ZRPP. Kjo e fundit është zyra e inventarit të shtetit e cila ka nevojë të dalë në terren tashmë nëpërmjet ALUIZNIT. Pra ky bashkim nuk duhet përceptuar si shuarje e dosjeve dhe i informacionit zyrtar që ata mbartin.
  2. Duhet forcuar ligjërisht roli drejtues i Drejtuesit vendor dhe qëndror të shërbimit të ri të krijuar. Pa dyshim rregjistruesi i pronës është mbajtësi i parë i përgjegjësisë për shërbimin e kryer, por për sherbimin e mos kryer apo të kryer keq, drejtuesi i Zyrës apo edhe Kryerregjistruesi duhet të kenë të drejtë të korrektojnë gabimin. Kjo do të ulte ndjeshëm numrin e ankimeve në gjykatë!
  3. Agjensia duhet të jetë zyra shtetërore ekskluzive që sqaron çështjet e mbivendosjes së pronave. Ajo kryen verifikime ne terren dhe në zonën katastrale për zgjidhjen e pronës së mbivendosur. Vetëm kështu shmanget veprimtaria parciale e vendimeve gjyqsore që i trajtojnë këto çështje në mënyrë parciale, pra të pa integruar në zonën katastrale.
  4. Burimet njerëzore që do e kryejnë këtë shërbim duhet të jenë përzgjedhur ekskluzivisht mbi baza profesionale. Kjo do të thotë as me DAP e as me Parti, por ndoshta nga kompani private rekrutimi që garantojnë profesionalizëm!
  5. Pagat duhet të jenë cilësisht më të larta dhe të përballohen nga të ardhurat që krijohen. Korrupsioni ka gjithmone vend tek pagat e ulëta.
  6. Të ndalohet çdo përdorim publik për qëllime politike i veprimtarisë së kësaj zyre të re që do krijohet! Të dhënat që gjenden në këtë shërbim janë personale dhe si të tilla duhen mbrojtur nga çdo ekspozim politik dhe jo vetëm! inagurimet me shpërndarje çertifikatash duhet të ndalohen me ligj! (fb)