Ish-Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar mazhorancën dhe Qeverinë se ditët në vijim do të marrin mesazhe të hidhura nga ndërkombëtarët në lidhje me reformën në drejtësi dhe rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias që opozita e kërkon me ngulm.

 

Berisha u bëri thirrje edhe njëherë deputetëve të mazhorancës që të pranojnë kërkesën e opozitës për nenin 88 sipas Venecias, në mënyrë që reforma në drejtësi të miratohet me konsensusin e të gjitha palëve politike.

 

Në të kundërt, u shpreh ish-Kryeministri, ndërkombëtarët së shpejti do të jenë më të ashpër me mazhorancë, duke pasur parasysh këtu deklaratat e djeshme të zyrtarit gjerman që ndodhej në Tiranë dhe shkrimit të sotëm të ‘Washingtone Times’ që “kryqëzon” Kryeministrin Edi Rama.

 

“Mesazhet e para kanë filluar t’iu vijnë. Këtu do jemi, do jenë shumë herë më të hidhura mesazhet që do merrni në kohën që vjen. Shumë shpejt do të dëgjoni atë që shkruhet për Albatrosin(i referohet Edi Ramës sipas shkrimit të Washingtone Times), zogu fatal i Shqipërisë, shpendi fatal.

 

“Po i the vetes Pandeli Pandeli, s’mund t’ia mohosh opozitës kurrë nenin 88. Nëse e bëni, kostoja do jetë mbi ju, shqiptarët do ju ndëshkojë”, tha ndër të tjera nga foltorja e Parlamentit ish-Kryeministri Sali Berisha.