Sali Berisha me të ashtuquajturin Komisioni për Rithemelimin e PD, të ngritur nga vetë ai, kanë krijuar sërish një situatë të paprecedentë sot në selinë blu. Ata kanë mbërritur në seli për të zhvilluar mbledhjen e radhës, ndërsa kanë shkelmuar derën e sallës së mbledhjeve për t’u futur brenda.

Ndërkohë në selinë e PD ndodhet edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili po zhvillon një mbledhje në sallën ngjitur me atë ku u fut me dhunë Berisha.

Nga selia blu, ku u fut me dhunë, Sali Berisha ka njoftuar mbi vendimet e Komisionit për rithemelimin e PD, ku tha se një prej tyre është edhe njoftimi me shkrim i Bashës për shkarkimin. Ai paralajmëroi kryedemokratin që të mos ‘imagjinojë’ t’i kundërvihet këtij vendimi.

“Sot Komisioni i Përkohshëm i PD, pas diskutimeve ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit të rithemelimit të PD. Deri më 22 mars, të gjitha strukturat e kësaj partie duhet të shndërrohen në struktura të anëtarëve të PD në të cilat ata do të vendosin me votën e lirë për drejtuesit e tyre. Duke vazhduar me këtë proces, demokratët janë të vetëdijshëm se janë në një revolucion të pandalshëm, të një rëndësie jetike dhe ata mbeten të gatshëm për të përmbushur çdo mision që do kërkohet në avancimin e kauzës sonë. Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme të anëtarësisë së PD në aktin më historik të lirisë gjatë pluralizmit, siç ishte referendumi i datës 18 dhe ky akt siç e dini ishte shkarkimi, ratifikimi i shkarkimit. Si një akt protokollar dhe jo detyrim sepse detyrimi është shpallur para të gjithë shqiptarëve, deputetit Basha do i dërgohet një shkresë ku do njoftohet për këtë vendim. Për të gjithë anëtarët e PD që votuan më 18 dhjetor, Komisioni vendosi të njoftojë se anëtarësi e PD është më këmbë dhe e vendosur të zbatojë vendimin e saj, vendimi i marrë do zbatohet pa asnjë lloj hezitimi. Paralajmëroj deputetin Basha të mos imagjinojë e mendojnë për një çast t’i kundërvihet vendimit të referendumit më të gjerë që është mbajtur ndonjëherë në historinë e vendit. Anëtarët kanë vendosmëri absolute për të zbatuar këtë vendim”, tha Berisha.

Edhe pse nuk kishte më shumë se 1000 vetë dje në protestë, Sali Berisha deklaron se mbushi Bulevardin mbrëmjen e djeshme. Berisha tha sot  nga Selia e PD se ajo ishte një protestë kundër aleancës së Beogradit me vasalët e tij në Tiranë dhe Shkup.