Kanë kaluar 5 ditë nga operacioni forca e ligjit, ndërsa rezultatet e para janë disa prona të sekuestruara dhe shkresa të dërguara për deklarim pasurie në adresat e emrave të njohur të cilët dyshohen për aktivitetet e tyre kriminale.

Biznesi i parë i cili u vu nën sekuestro ishte Kompleksi Golden në Shijak, si dhe një karburant në pronësi të Altin Hajrit, i shpallur në kërkim nga policia lidhur me rrëmbimin e Jan (Dodë) Prengës, trupi i të cilit nuk është gjetur ende.

I njëjti operacion u shtri edhe në veri të vendit në Shkodër, ku u sekuestruan vila, banesa ,automjete si dhe sipërfaqe tokash dhe trojesh të 7 anëtarëve të grupit Dukagjini, të dyshuar për rrëmbimin e biznesmenit nga Rrësheni. Në të njëjtën ditë, e njëjta strukturë dërgoi kërkesat për deklarimin e burimeve të pasurisë Lulzim Berishës i dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e Krimeve të Rënda dhe Ardian Çapjas i dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale.

Operacioni forca e ligjit bllokoi automjetet e blinduar Landi Muharremit personi i cili ishte në automjetin e me prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja, ku ndaj tyre u krye një atentat dhe Durim Bamit, i dënuar për veprën penale vjedhje me arme.

Makinat iu sekuestrua edhe Saimir Taullaut- për OFL një ndër personat e njohur të botës së krimit në Lushnje dhe Dashamir Gjokës i dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore në Itali. Këtyre dy subjekteve bashkë me Emiljano Hysenaj dhe kushëririn e tij Edlir Hysenaj OFL iu ka kërkuar edhe deklarimin e pasurisë.

Rrjetës së forcës së ligjit nuk i shpëtuan as emrat si Plarent Dervishi i hetuar në Gjermani për trafikim të qenieve njerëzore dhe dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për 5 vrasje, dënim për të cilin Krimet e Renda i dhanë pafajësinë si dhe Suel Çela një nga personat i cili fillimisht u akuzua për vrasjen e punonjësve të policisë e mbetur në tentativë lidhur me ngjarjen e ndodhur në shtator të 2017 në Elbasan pranë tregut agroushqimor.

Emri i fundit i cili iu dërgua shkresa për deklarimin e pasurisë nga OFL është Arben Isufaj, i njohur ndryshe edhe me nofkën Ben Qimja, me banim në Fier. Sipas policisë, ai rezulton nën hetim në Itali, për veprën penale, Pjesëmarrja në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Arben Isufaj, ka arritur të mbyllë disa procese gjyqësore, me disa beteja të gjata prokurori-gjykatë.

VERITAS.COM.AL/