Astrit Patozi/

BINDJA DEMOKRATIKE dorëzoi sot në Kolegjin Zgjedhor ankimimet e saj për procesin e 30 qershorit, duke qenë e vendosur për të ndjekur deri në fund në rrugë ligjore pretendimet e saj se vota e deformua nga Partia Socialiste, e cila i administroi dhe i numuroi e vetme zgjedhjet.

Ky vendim erdhi pasi ankimimet tona në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve u rrëzuan arbitrarisht me forcën e kartonave të përfaqësuesve të Partisë Socialiste në këtë insistucion. Në të gjitha votimet e kërkesave ankimore të BINDJES DEMOKRATIKE në KQZ rezultati ishte katër vota pro dhe një kundër. Vetëm kryetari Klement Zguri ishte dakord që të hapeshin kutitë e materialeve zgjedhore dhe ato të qendrave të votimit për listat e këshillave në ato zona zgjedhore, ku BINDJA DEMOKRATIKE u lejua të konkuronte.

Ankimimi i zgjedhjeve të 30 qershorit bazohej në të dhënat dhe informacionet e vëzhguesve të BINDJES DEMOKRATIKE në të gjithë territorin, të cilët konstatuan shkelje të rënda që kanë sjellë rritjen fiktive të pjesëmarrjes së votuesve dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve, sidomos në listat e këshilltarëve bashkiakë.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve refuzoi të shqyrtonte dhe të merrte në konsideratë kërkesën ligjore të BINDJES DEMOKRATIKE për të pasur komisionerë dhe numurues në të gjitha zonat zgjedhore, ku ajo kandidonte. Kjo i përforcoi dyshimet tona se përfaqësuesit e Partisë Socialiste donin që vetë të firmosin dhe vetë të vulosnin për të gjithë procesin e 30 qershorit, gjë që u vërtetua edhe nga gjetjet e vëzhguesve tanë në të gjithë territorin.

Tashmë është në dorë të Kolegjit Zgjedhor që të vendosë nëse është dakord që publiku të mësojë të vërtetën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ajo që kërkojmë ne është thjeshtë dhe vetëm që brenda kuadrit ligjor shqiptarëve t’u jepet mundësia që të shohin se çfarë ndodhi me votën e tyre rreth dy javë më parë.

10 vjet më parë Edi Rama dhe Partia Socialiste u përfshinë në një betejë politike me devizën “hap kutitë, ose largohu”, duke iu referuar zgjedhjeve politike të vitit 2009, në të cilat kishin humbur, por duke pasur komisionerë dhe numërues në çdo qendër votimi. Ndryshe nga atëherë, ne nuk patëm askund komisionerë dhe numërues, ndaj edhe kemi shumë herë më tepër të drejtë se Partia Socialiste në atë kohë.

Ndryshe nga ata, ne nuk po i themi Edi Ramës që të hapë kutitë, ose të largohet. Por nëse ai do të urdhërojë edhe Kolegjin Zgjedhor që të votojë si KQZ-ja, i bie që duke mos hapur kutitë Edi Rama njëkohësisht ta pranojë se ai i ka vjedhur zgjedhjet e 30 qershorit.