Ben Blushi, deputet i Partisë Socialiste, tha dje nw njw studio televizive se shteti është në prag kolapsi dhe në buzë të katastrofës. I ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” përballë analistit Fatos Lubonja dhe gazetarëve Ylli Rakipi dhe Andi Bushati, Blushi tha se “partia e të pakënaqurve” është më e madhja në vendin tonë.

Më tej deputeti shtoi se në tre vitet e fundit shqiptarët janë duke bërë bilancin për 25 vitet e shkuara dëm.

Blushi theksoi se zhgënjimi që solli qeveria e “Rilindjes” është më i madh nga sa pritej. Deputeti socialist u shpreh se pas 25 viteve nuk është arritur demokracia, media e drejtësia janë të varura, ekonomia është në ditët e saj më të zeza, ndërsa shtoi se nevoja për të lënë vendin është bërë akoma më e madhe.

“Edhe unë besoj se këto tre vitet e fundit, kanë thelluar dëshpërimin për 25 vjet të harxhuara, jo kot, por për të shpërdoruar. Ne kishim mundësinë që gjatë këtyre 25 viteve të ndërtonim një sistem funksional demokracie. Këtë s’e kemi arritur. Kemi drejtësi të varur, media të varura, kemi një ekonomi totalisht të paqëndrueshme, e cila mbahet ose nga remitanca ose nga para që vijnë nga banka të huaja, na ka rënë prodhimi dhe kemi shumë emigracion.” tha Blushi.

“Bilanci i sotëm, pas tre vitesh, është katastrofal. Shteti për mua është në prag kolapsi, unë nuk besoj se kemi parë këtë kaos, përveçse në vitin ’97, apo në prag të atij viti. Shteti nuk funksionon. Shikoni se çfarë ndodh. Del e nevojshme tw sekuestrohet zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, 10 për qind e bashkive kanë rënë, sepse njerëzit që i drejtojnë kanë probleme me ligjin. Është totalisht afunksionale, ekonomia e Shqipërisë është në ditët e veta më të zeza, nevoja për të lënë Shqipërinë, për ta braktisur, është më e madhe. Ky është bilanci i Rilindjes për tre vjet. Dhe kjo është që unë them vazhdimisht, e vazhdimisht, e vazhdimisht… Kjo është arsyeja që ka kaq shumë pakënaqësi midis njerwzve. Pra, njerëz të pakënaqur mes partive të mëdha. Njerëz ndërmjet dy poleve të mëdha, majtas apo djathtas, janë duke u shtuar. Partia më e madhe sot është Partia e të Pakënaqurve.” vijoi më tej deputeti socialist.