Nga Gjermania vijnë mesazhe ndaj opozitës për pjesmarrje në procesin zgjedhor.

Gjatë takimit me kryetarin e grupit parlamentar socialist Taulant Balla, Mark Hauptmann, njëkohësisht dhe anëtar i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të NATO-s vlerësoi maksimalisht ecurinë e Reformës në Drejtësi si një kusht i përmbushur tashmë për vijimin e rrugës europiane të Shqipërisë në stacionin tjetër.

“Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Respektimi i ligjeve, rregullave dhe Kushtetutës nuk duhet të vihet në dyshim nga asnjë palë. Partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje, por askush nuk është i detyruar. Kjo është demokracia” mësohet të ketë thënë ai sipas zyrës për shtyp të PS, duke shtuar se nuk është e drejtë të kërkohet shtyrja e zgjedhjeve nga aktorë të jashtëm në një shtet të pavarur dhe demokratik.

Taulant Balla zhvilloi nje takim me zotin Josip Juratovic (SPD) Kryetar i Komisionit Parlamentar për Evropën Juglindore në Bundestag.

Si një njohës shumë i mirë i Ballkanit Perëndimor ai u shpreh:

“Para disa ditësh pata një takim me Komisionerin për Zgjerim Johanes Hahn dhe ndava me të bindjen se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Qasja jonë ndaj këtyre dy vendeve është një test i kredibilitetit të BE. Për mua, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është zgjerim, por plotësim i hartës së BE. I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri dhe dua ta them shumë qarte se bojkoti i parlamentit është kundër parimeve të demokracisë.

Lufta politike duhet të zhvillohet vetëm në Parlament. Unë jam i krishterë dhe për mua respekti ndaj Parlamentit është po aq i shenjtë sa respekti ndaj Kishës. Ata që bëjnë këto veprime dhe protesta të dhunshme nuk e duan Shqipërinë në BE. E kam thënë edhe për raste të ngjashme në vende të tjera të Ballkanit, një parti mund të jetë kundër partisë që është në Qeveri, por nuk mund të jetë kundër interesit të vet kombëtar”.

Ndërkohë në takimet me zotin Nikolas Lobel dhe zotin Axel Müller, Balla diskutoi  mbi procedurat që do të ndjekë Bundestagu gjerman per shqyrtimin e vendimit për fillimin e bisedimeve.

Müller vlerësoi se si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, i kanë  plotësuar detyrat e lëna nga qershori vitit të shkuar në Këshillin Europian. Ka një vlerësim pozitiv edhe këtu në Bundestag lidhur me fillimin e bisedimeve gjatë 2019.

Qëllimi i takimeve me deputetë të Bundestagut dhe përfaqësues të qeverisë gjermane është angazhimi ynë lidhur me rekomandimin pozitiv pa kushte të Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anetarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe shqyrtimi i ketij rekomandimi edhe nga Bundestagu gjerman.

Veritas.com.al/