Sot paradite është mbledhur Kuvendi i Shqipërisë ku do të diskutohet paketa fiskale dhe buxheti 2023.  Kreu i qeverisë, Edi Rama ka prezantuar në Kuvend buxhetin 2023. Rama tha se thelbi i këtij buxheti është mbrojtja e familjeve në nevojë dhe bizneseve të vogla të cilët ndodhën më në vështirësi për shkak të krizës. 12 mld lekë do të shkojnë për mbrojtjen e çmimit të energjisë, plus 80 mln euro që BE i dha për vendin tonë. Rama theksoi se do të rritet paga e zjarrfikësve, punonjësve të arsimit, shëndetësisë dhe ushtarakëve.

Diskutimet  nisin me projektligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”. Projekt-paketa e vitit 2023 unifikon akcizën për Birrën (prodhues vendas e të huaj), pavarësisht sasisë së prodhimit. Akciza do të jetë nga 360 lekë/HL, në 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike. Sipas ligjit aktual prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër. Vendosja e fashës në akcizës ndaj birrës fillimisht kishte qëllim për të mbrojtur birrën vendase nga importi, me vonë gjatë zbatimit u bë shkak për evazion, pasi fasha u shfrytëzua për nënraportim. Madje edhe birrat e importit shpesh përfitonin nga akciza e ulët duke raportuar kapacitet prodhimi më pak se 200 mijë hektolitra.

Gjatë punimeve do të diskutohet edhe projekt buxheti për vitin 2023.  Të ardhurat në vendin tonë për vitin 2023 parashikohet të jetë në nivelin 631. 7 miliard lekë, ku 475 miliard lekë të ardhura do të vijnë nga qeverisja qendrore, ndërsa 65 584 milionë lekë nga pushteti lokal.

Peshë të veçantë në buxhet pritet të ketë sektori energjetik, ku parashikohet fondi prej 12 miliardë lekësh. Po ashtu është parashikuar një fond prej 2. 3 miliardë lekësh që të përdoret për politika të reja pagash. Viti 2023 është vit zgjedhor dhe fondi i parashikur për këtë qëllim është 1. 8 miliardë lekë.