Sot në mëngjes, të dërguarit e kryeministrit Rama, kanë ngritur një çadër në oborrin e Bashkisë së Shkodrës. Ngjasimi me Çadrën e Opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit është i shumëfishtë: Selia e qeverisë nacionale u ‘m,bulua’ nga Çadra e Opozitës në Tiranë, ndërsa selia e qeverisë lokale të Shkodrës po ‘mbulohet’ nga çadra e maxhorancës. Bashkia e Shkodrës qeveriset nga Partia demokratike, dmth., nga Opozita që në Tiranë ka ngritur çadrën e Protestës kundër qeverisë.

Në Shkodër qeveria proteston me të njëjtën mënyrë dhe mjete, kundër Opozitës. Është hera e parë që qeveria ngre vend-ngujime politike kundër Opozitës.

Por çfarë bie në sy është se maxhorancës i mungon fantazia në luftë kundër opozitës. Qeveria përdor të njëjtin mjet si edhe Opozita, me të njëjtën formë, në të njëjtin vend-vendosje.

Pas ngritjes së Çadrës në Shkodër ka pasur përplasje mes Policisë së Rendit dhe Policisë Bashkiake në Shkodër. Partia Socialiste ka thënë se ‘do të ngrejë një tendë  për takimin e Ramës me të rinjtë’ mu në derë të bashkisë së drejtuar nga demokratja Voltana Ademi,  por Policia Bashkiake nuk lejon.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që ‘të mos provokojë’.

/Veritas.com.al/