Shkruan ‘Le Point’:

Çeshtja e Harvey Weinstein, i akuzuar për përdhunime, ka zgjidhur gjuhët në Hollivud. Aktori amerikan është akuzuar për agresion seksual nga dy gra.

Edhe Ben Affleck është prekur nga skandali Harvey Weinstein, i akuzuar për përdhunime, agresione seksuale dhe ngacmims. Aktori amerikan, i afërt me producentin e Plotëfuqishëm të Hollivudit, në 2003 i kish prekur gjoksin prezantueses dhe aktores Hilarie Burton gjatë një emisioni televiziv. Pamjet e “shpluhurosura” që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale në internet, e kanë detyruar Ben Affleck-un të thyejë heshtjen dhe të kërkojë ndjesë: “Kam vepruar në mënyrë të papërshtatëshme ndaj zonjës Burton dhe kërkoj ndjesë sinqerisht”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Twitter në 11 tetor.

Por, një tjetër grua ka thyer heshtjen tashmë, ajo është Annamarie Tendler, me profesion grimiere. Edhe ajo kërkon t’i kërkojnë ndjesë. Ajo e akuzon Ben Affleck-un se e ka agresuar seksualisht gjatë ceremonisë së Golden Globes në 2014. “Ai erdhi drejt meje, më kapi nga prapanica dhe m’i futi gishtat në mes të këmbëve, ka dëshmuar ajo drejtëpërdrejt në Twitter. Si shumica e grave në situata të tilla, unë nuk thashë asgjë, por jam menduar shumë se ç’do të thoja nëse do të më ndodhte të më dilte përsëri përpara.” Për momentin, aktori nuk ka dhënë asnjë koment.

Nuk është rastësi që këto skandale dalin tani. Ben Affleck e njeh shumë mirë Harvey Weinstein, njeriu që e kishte mbështetur në lançimin e filmit të tij Will Hunting, me bashkëautor mikun e tij Matt Damon. I kurorëzuar me një sukses të madh në sallat e kinemasë dhe dy çmime Oscar në 1998. Pesë ditë para publikimit të hetimit të  New York Times-it që akuzonte Weinstein-in për ngacmim seksual të shumë aktoreve, Ben Affleck nuk hezitoi të dënonte në një komunikim sjelljen e ish mentorit të tij, me të cilin vazhdonte të kishte marrëdhënie. “Jam i trishtuar dhe i tërbuar që një burrë me të cilin kam punuar ka përdorur statusin e tij për të trembur, ngacmuar dhe manipuluar gratë për dekada.”

“Ti gënjen!”

Një deklaratë që nuk ka bindur gjithëkënd, konkretisht aktoren Rose McGowan, të serialit Charmed, e cituar si viktimë në New York Times: ajo ka shënjestruar Ben Affleck-un dhe Matt Damon-in, duke i akuzuar se mbyllën gojën për të mbrojtur manjatin e Hollivudit. “Ti gënjen!” i është hakërryer ajo Ben Affleck-ut në Twitter duke i kujtuar fjalët që ai i kish thënë asaj kur mori vesh se e kishin sulmuar: “Për atë Zot, ia pata thënë të hiqte dorë nga këto gjëra…” Provë, sipas saj, se ai e dinte që producenti sillej si një gjuetar seksi.

Matt Damon nga ana e tij mohon të ketë dijeni për këto fakte: “unë kam bërë pesë ose gjashtë filma me Harvey-in. Nuk kam qenë kurrë i pranishëm në kësi gjërash. Shumë aktorë flasin sot se të gjithë kishin dijeni për këto gjëra, por kjo nuk është e vërtetë.”

Sapo ka filluar që rrobat e palara të lahen jashtë shtëpisë e ditën për diell…

Veritas.com.al/