Dy emrat e opozitës për Avokat të Popullit, Ledio Braho dhe Altin Goxhaj u rrëzuan me votat e mazhorancës me të njëjtin argument: Këtë institucion nuk duhet ta drejtojë një figurë e angazhuar politikisht. Mazhoranca thotë se nuk do të lëkundet nga ky qëndrim edhe në fazën e dytë të këtij procesi, teksa opozita që propozon kandidatët kalon në një tjetër sfidë për të gjetur një emër konsensual mes 2 kampeve të përçarë brenda selisë blu.

E sigurt është, se nëse do të ketë një rikandim të Avokates aktuale të Popullit Erinda Ballanca, që i ka mbaruar mandati, kriteri që do i garantojë votën kundër të mazhorancës, është përfshirja e saj politike.

‘Këtu ne kemi bërë një diskutim me opozitën dhe kemi kërkuar që avokati i popullit të jetë një personalitet në fushën e jurisprudencës por jo në ndonjë lidhje të caktuar me partinë demokratike. Avokati i një partie politike nuk mund të jetë avokati i popullit dhe dialogu konstruktiv nuk është Pazar”, u shpreh ai.

Në një intervistë për Report Tv, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se në zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit, socialistët do të fitojnë edhe bashkinë e Shkodrës që aktualisht drejtohet nga kryebashkiaku Bardh Spahia, i grupit të rithemelimit.

“Kemi parasysh një kandidaturë shumë të shkëlqyer që do ti japim Shkodrës në këto zgjedhje. Është një ekspert i padiskutueshëm i menaxhimit dhe administrimit të projekteve për shumë vite me radhë, por le të jetë kolegia ime Spiropali si drejtuese politike e qarkut që ta komunikoj atë me ju”, tha kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Balla theksoi se në 2023, Kuvendi do të jetë i angazhuar me një agjende legjislative të rëndësishme, dike iu referuar reformës zgjedhore, amnistisë fiskale rrugëtimit drejt integrimit evropian, ku kuvendi ka për detyrë përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.