Nisur nga ulja e rasteve të infektimeve dhe incidencës së COVID-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të hapen auditorët në universitete vetëm për provime dhe konsiultime si dhe të hiqet karantina 14 ditore për emigrantët nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila nga konferenca për shtyp me Komitetin Teknik të Ekspertëve ndonëse theksoi se kemi një rënie të pozitivitetit total dhe numri i pacientëve të shtruar është ulur në 116 të shtruar, krahasuar me javën e mëparshme, deklaroi se do të vijojnë të mbeten në fuqi masat e tjera antiCOVID në mënyrë që situata të mbahet nën kontroll.

Masat që mbeten në fuqi janë ndalimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit, sakaq mbetet e ndaluar i grumbullimi i më shumë se 10 personave.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino është shprehur se thuajse në të gjitha bashkitë e vendit ka ulje të incidencës. Po ashtu, Bino theksoi se pozitiviteti ka shkuar nën 5 për qind dhe një ulje të tillë vendi nuk ka parë ndonjëherë, krahasuar edhe me numrin e testimeve që po bëhen.

Bashkitë e mëdha ku incidenca ka pësuar rritje janë ajo e Lezhës dhe e Kukësit dhe disa bashki të tjera të vogla. Duke folur për fushatën e vaksinimit e cila po ecën me ritme të shoejta Bino tha se deri në fund të vitit, mund të jemi një vend me mbulesë të lartë vaksinale.