Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur betejën me COVID-19, 4 pacientë. Në këtë mënyrë ka shkuar në 101 numri i viktimave në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë iu bën thirrje qytetarëve të vënë detyrimisht maskën, pasi situata paraqitet e rëndë në Spitalin Infektiv, ku kanë ndërruar jetë 4 pacientë, mes të cilëve edhe një 21-vjeçare.

Deklarata e MSH:

Ministria e Shëndetësisë ju informon mbi situatën epidemiologjike në vendin tonë, duke ju drejtuar që në fillim të këtij komunikimi çdo qytetari me thirrjen për të vendosur detyrimisht maskën në ambientet e mbyllura, për të ruajtur distancën në çdo ambient dhe për rëndësinë e higjienës vetjake dhe kolektive për frenimin e përhapjes së Covid9.
Situata paraqitet e rënduar në spitalin infektiv, ku janë shënuar 4 humbje jete në 24 orët e fundit.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një vajzë e re 21 vjeçare, e cila ndodhej në terapi intensive e intubuar, si pasojë e simptomave të rënda të Covid19. Gjendja e saj u rendua në mënyrë të menjëherëshme si pasojë e tromboembolisë fulminante dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, e reja që vuante nga sindromi metabolik, nuk ka arritur të mbijetojë.
Gjatë 24 orëve të fundit e kanë humbur betejën me sëmundjen edhe një qytetare 49 vjeçare nga Kruja, e intubuar në gjendje të rëndë prej 11 ditësh dhe dy qytetarë, 56 dhe 67 vjeç, nga Tirana të intubuar, të cilët nuk e kanë fituar dot betejen me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mëdha qe po bën stafi mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u shpreh ngushëllimet familjarëve.

VERITAS.COM.AL/