Nga: Veritas.com.al/

Dilema ka kohë që ka nisur. Edhe prindërit më skeptikë ndaj kultivimit të bimëve narkotike anë e mbanë vendit, nuk mund të mendonin se një ditë do të ishin të detyruar t’i mbyllin fëmijët në shtëpi. Ose t’i çojnë në shkollë, por atje i pret një rrezik i madh. Në klasat e shkollës digjet drogë.

Më parë prindi e kishte sikletin e madh derisa fëmijën e dorëzonte në shkollë. Se, ja, ruga, makinat, qentë, njerëzit perversë,…, etj. Por tani shtohet rreziku i madh, i pazëvendësueshëm: Në shkollë digjet drogë.

Rasti i sotëm në fshatin Bilaj në Fushë- Krujë, nuk është i pari që shpallet publikisht. Në fshatin Paskuqan, pak kilometra nga Bilaj, para pak ditësh u helmuan 11 fëmijë. Në shkollë ishte tymosur kanabis dhe këta ranë viktimë e krimit me “drogën sheshit”.

Sot katër nxënëse të klasës së tetë në shkollën e fshatit Bilaj në Fushë Krujë, kanë shfaqur probleme shëndetësore. Gjatë pushimit më të gjatë mes orëve të mësimit kanë pasur marrje mendsh, humbje ekuilibri, ndjesi si për të vjellë. Nxënëset 13-14 vjeçe janë transportuar menjëherë në spital, me të dridhura dhe vështirësi në frymëmarrje.

Mjeku i urgjencës Kastriot Mustafa deklaroi për “News24” se në klasë mund të jetë djegur kanabis. Sipas mjekut, deklaratat e vajzave të bëjnë të mendosh se problemet e tyre janë shkaktuar nga tymi i drogës.

Policia, si në rastin e nxënësve të shkollës në Paskuqan, po tentojnë që ta fshehin të vërtetën. Këta thonë se nxënëset ndjehen keq për shkak se diku aty pranë shkollës po digjen mbetje dhe se “tymi ka hyrë në klasë”.

Pas “helmimit” të prindërve që nuk guxojnë t’i çojnë fëmijët në shkollë nga rreziku i kanabisit, shtohet edhe një rrezik plus: Policia fsheh krimin; ose është bashkëpunëtore me krimin e drogës, siç edhe po thuhet gjerësisht.

Droga sillet nëpër shkolla edhe nga policia, ose nga trafikantët e tjerë dhe kultivuesit. Ata gjejnë strehë për drogën në ambientet e shkollave në fshatra.

/Veritas.com.al/