Pasi ka takuar veçmas, kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Evropian, Christian Danielsson del me një qëndrim të qartë për krizën politike në Shqipëri. Ashtu si të dërguarit e PE pak ditë më parë, ai zgjodhi të gjykojë vendimin e opozitës.

“Është fatkeqësi që Shqipëria sot gjendet në kurth, le ta themi nga mungesa e stabilitetit. Forcat politike duhet të luftojnë për reformat e përbashkëta. Duhet udhëheqje e përgjegjshme për ta afruar vendin me BE”,- tha ai.

Danielsson e cilësoi vendimin e opozitës për të djegur mandatet një vendim që bie ndesh me rrugën e integrimit drejt BE.

“Sa i përket opozitës kam theksuar që vendimi i anëtarëve për të djegur mandatet në bllok minon rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Pasiguria duhet kaluar në mënyrë urgjente. Parlamenti është shtyllë e shtetit, motori i çdo demokracite të pjekur. Duhen krijuar kushtet për një dialog konstruktiv në Parlament. Ndaj duhet theksuar thirrja e Mogherinit dhe Hanh që ky vendim e minon integrimin”,- tha ai.

Ai thotë ndër të tjera se, “E drejta për të protestuar është e lejuar por protestat duhet të jenë paqësore. Përgjegjësit për to nuk duhet të shtyjnë për dhunë.

Veritas.com.al/