“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnistinë fiskale”.

 Ky ishte reagimi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri pas takimit me përfaqësueses të qeverisë.

Sipas burimeve pranë BE-së, delegacioni u shpreh se, “do të vazhdojmë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”.

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj si dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka kanë zhvilluar një takim në ‘Vilën 30’ me ambasadorët e huaj në vendin tonë, ku ndër to po marrin pjesë ambasadorja e BE-së, Christine Hohmann, ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith.

Tre muaj më parë, BE u pozicionua kundër draftit të ligjit në Shqipëri për amnistinë fiskale.

Sipas deklaratës zyrtare, ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave.

Ndërkohë, vijon njoftimi, do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore.

“Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”, përmbyllet qëndrimi i BE-së.

Drafti i amnistisë fiskale

Draftligji përcakton të gjitha rregullat, garancitë dhe veprimet e subjekteve që do të përfitojnë nga procesi i deklarimit vullnetar të pasurive dhe njëkohësisht saktëson se cilat do të jenë institucionet publike që do të administrojnë këtë proces.

Fillimisht ai u hartua në vitin 2020, por nuk u arrit konsensusi me opozitën e cila ishte jashtë parlamentit.

Nëpërmjet këtij drafti Qeveria iu kufizon deklaruesve vullnetar mundësinë për të transferuar jashtë vendit paratë e deklaruara për një periudhë 5-vjeçare nga momenti i deklarimit.

Në rastet kur subjektet deklaruese duan t’i transferojnë shumat e deklaruara jashtë vendit para këtij afati, ndaj tyre parashikohet penalitete.

Fillimisht ato do të ‘sanksionohen’ në masën 30% të shumës së transferuar.

Për deklarimet vullnetare të shumave në para, në pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, që bëhen në katër muajt e parë nga hyrja në fuq e ligjit norma e tatimit është shtatë për qind.

Ndërsa pas kësaj periudhe: 10% e shumës totale të deklaruar.

Po ashtu nëse subjektet vendosin t’i investojnë pasuritë e deklaruara në tituj shtetëror, bono thesari apo obligacioni jo më të vogla se 2-vjeçare, Banka e Shqipërisë do të mbajë një tatim prej pesë për qind të shumë totale për investimet e bëra në 4-mujorin e parë – prej hyrjes në fuqi të ligjit – dhe shtatë për qind pas kësaj periudhe kohore.

Për zbatimin e kësaj amnistie fiskale dhe penale, pra që iu fal deklaruesve vullnetar gjobat, penalitetet apo kamatëvonesat për pasuritë e tyren si dhe i përjashton nga ndjekja penale, do të ngrihet një strukturë e posaçme në varësi të  Drejtorisë së Tatimeve.

Amnistia parashikohet të zbatohet për një periudhë 9-mujore nga hyrja në fuqi e ligjit.