Partia Demokratike ka denoncuar si aferë korruptive projektin e qeverisë për ndërtimin e një porti në bregdetin e Karpenit.

Sipas PD, ky koncesion është një prej aferave të dyshimta e korruptive të tre viteve të fundit. Deputetja Jorida Tabaku tha se Edi Rama do t’u japë 1 700 hektarë disa kompanive fantazmë që kanë vetëm 100 paund në llogari bankare. PD deklaron se gjithçka po bëhet në mungesë të transparencës.

Deklarata e deputetes Jorida Tabaku

Pasi krijoi mjegullën e duhur me zhurmën për reformën në drejtësi, Edi Rama urdhëroi kartonat e tij në parlament për të kaluar një prej aferave më të dyshimta e korruptive të këtyre tre viteve, sic është koncesioni i Karpenit në Kavajë.

1700 hektarë tokë në zemër të vendit, në një prej zonave më të kushtueshme, i fluturoi Edi Rama me një të rëndë të lapsit sa në Londër, sa në Singapor, nëpër kompani fantazëm, dhe sot që flasim askush nuk e di se cilin bëri shefi i rilindjes pronar të kësaj pasurie të shqiptarëve.

Një projekt i dyshimtë, në mungesë totale transparence.

Fillimisht, Edi Rama ia dha këto 1700 hektarë kompanisë “Star Bridge Port Development Ltd”, me qendër në Britani, e cila rezultoi me një kapital prej 100 paundësh. Ia dha kompanisë me 100 paund, me ca copa letrash ku flitej për ndërtimin e një kompleksi laraman, me lloj lloj objektesh të planifikuara aty.

Kjo kompania 100 paundëshe, sipas Edi Ramës do na investoka 5 miliardë dollarë në Karpen, aq sa gjysma e produktit të brendshëm bruto.

Nga ana tjetër, qeveria nuk tregon se në cilin plan territorial është mbështetur, në cilin plan zhvillimor është menduar, ku është studimi i feasibilitetit dhe ku është projekti duke shtuar edhe më shumë hijet e dyshimit.

Por më e rënda është se kjo kompani, që Edi Rama e bëri pronare të 1700 hektarëve, u shit papritur në Singapor, në një parajsë fiskale atje, vende që vizitohen shpesh nga vëllai i kryeministrit. E njëjta skemë si me koncesionin e TVSH që opozita kundërshtoi dhe detyroi q everinë të tërhiqej.

Ky së bashku me Koncesionin e Rrugës së Kombit, është një skandal mbi skandalet në përmbledhjen e gjatë të abuzimeve 3 vjecare të Edi Ramës.

Si mundet një kryeministër të hedhë sa në një cep të botës në tjetrin 1700 hektarë të pasurisë kombëtare? Si mundet të flakë në rugë pronat e 220 familjeve që nuk e dinë se cdo të ndodhë nesër me ta?

Kush fshihet pas këtij projekti?

Cilat janë interesat personale të Edi Ramës?

Cili klient favorizohet nga këto afera?

Edi Rama duhet të bëjë urgjentisht transparencë e të japë llogari për këtë rast. Partia Demokratike do të vendosë para ligjit autorët e do të vazhdojë të denoncojë këtë koncesion korruptiv e këtë zhvatje të pasurisë së shqiptarëve, si shumë afera të tjera të kësaj qeverie e oligarkëve të saj!