Mark Hauptmann, deputet i parlamentit gjerman komenton deklaratën e dy deputetëve të këtij grupimi politik gjerman, në lidhje me mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve elektorale të 30 qershorit 2019 në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i CDU thotë se si grup parlamentar, ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur.

“De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit”, thotë deputeti gjerman.

Ai apelon që si qeveria dhe opozita të ulen në dialog dhe të arrijnë në kompromis për të mirën e stabilitetit të vendit.

“Është e vërtetë se po ndjekim me shumë shqetësim krizën e brendshme në Shqipëri. Për hir të së ardhmes Evropiane të Shqipërisë, duhet të zhvillohet dialog midis qeverisë dhe opozitës, si dhe të dyja palët duhet t’i qasen njëra-tjetrës duke qenë të gatshme për kompromis për të mirën e stabilitetit demokratik. Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur. De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit. Si pasojë do të lindnin pyetje mbi sovranitetin e një shteti të huaj. Stabiliteti demokratik po ashtu përfshin detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e tij.

Disa ditë më parë në një deklaratë të përbashkët për “Deutsche welle”-n, dy deputetët Johann David Wadephul, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU në Parlamentin Gjerman dhe njëherësh kreu i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor si dhe Christian Schmidt, nga CSU, reporter për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme, shprehën shqetësimin lidhur me situatën në Shqipëri.

Në deklaratën e tyre ata u ndalën edhe në mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore. Kujtojmë se opozita joparlamentare i ka bojkotuar zgjedhjet vendore dhe ka deklaruar se do t’i bllokojë ato. Opozita kërkon rrëzimin e kryeministrit Edi Rama si kusht për nisjen e dialogut dhe krijimin e një qeverie teknike për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, që të mbahen bashkë me ato lokalet.

Veritas.com.al/