Ndonëse PD-ja ka në plan që sot të shkaktojë trazira në kuvend, deputeti i tyre Agron Shehaj, bën thirrje për të braktisur kuvendin.

“Është momenti që ne përfaqësuesit e popullit t’i drejtohemi popullit për të marrë bashkë me ta vendimin nëse duhet të qëndrojmë më në këtë parlament fals apo duhet ta braktisim atë për të shpëtuar demokracinë”. Ky është qëndrimi i deputetit të PD-së, Agron Shehaj, shprehur në një mesazh në facebook.

Shehaj thotë se ky është vetëm fillimi i sundimit të përjetshëm të Edi Ramës, në stilin e diktatorëve lindorë. ”Në një parlament që nuk ka asnjë të drejtë të opozitës dhe që nuk ka asnjë pavarësi, demokracia parlamentare ka vdekur dhe qëndrimi i opozitës në të është thjesht kontribut për një farsë”.

Statusi i plotë i Agron Shehaj

“Vënia nën kontrollin personal të Edi Ramës e gjithë sistemit të prokurorisë dhe përdorimi i saj për të mbrojtur krimin qeveritar dhe trafikun e drogës është hapi i fundit në vendosjen e të gjitha pushteteve nën sundimin e plotë të tij.

Në Shqipëri ka rënë rendi kushtetues dhe sundimi i ligjit është zëvendësuar me diktaturën personale të Edi Ramës, i cili kontrollon parlamentin, qeverinë, drejtësinë, si dhe ekonominë dhe mediat nëpërmjet oligarkëve.

Ky është vetëm fillimi i sundimit të tij të përjetshëm, në stilin e diktatorëve lindorë. Në një parlament që nuk ka asnjë të drejtë të opozitës dhe që nuk ka asnjë pavarësi, demokracia parlamentare ka vdekur dhe qëndrimi i opozitës në të është thjesht kontribut për një farsë.

Unë kam hyrë në politikë për të kontribuar për një shtet perëndimor, të drejtë, pa korrupsion dhe në shërbim të qytetarëve. Por këto objektiva duken sot dytësorë në krahasim me nevojën për të mos humbur lirinë dhe demokracinë.

E gjithë shoqëria duhet të ndalojë dhe t’i thotë STOP diktatorit, sa nuk është vonë. Është momenti që ne përfaqësuesit e popullit t’i drejtohemi popullit për të marrë bashkë me ta vendimin nëse duhet të qëndrojmë më në këtë parlament fals apo duhet ta braktisim atë për të shpëtuar demokracinë”.

Veritas.com.al/