“Bamirësia nuk të varfëron”, kjo moto e përshkruan më së miri qytetarin lezhjan Gjergj Kadeli, i cili hapi dyert e shtëpisë së tij për njerëzit në Ukrainë, që ndodhen në një moment të vështirë dhe që duan t’i shpëtojnë luftës.

Ai e di se çfarë do të thotë të vuash, Gjergi ka qenë një emigrant për 15 vjet dhe e ndjen më shumë se kushdo nevojë për të ndihmuar, pasi e ka ndjerë frikën në supet e tij.

Gjergji hapi dyert e shtëpisë së tij në fshatin Manati edhe për Report Tv, për të na treguar se brenda saj mund të strehoren një ose edhe dy familje dhe të jetojnë të qetë, pa zhurmën e bombarimeve.

“Nuk e mendova se do të merrte përmasa mediatike, ishte instinkti njerëzor ai që më udhëhoqi. U ndjeva i dobët për të shprehur solidaritetin, ndaj po vë në dispozicion banesën time që e kam ndërtuar me mund dhe djers që të strehohet një familje apo dy. I bëj thirrje të gjithëve të ndihmojnë. Është 213 metra katror, ka 4 dhoma gjumi, një kuzhinë dhe tre tualete. Ka avlli prej 2 dynymë që do të shërbejë për nevojat dhe dëshirat e personave që do të akomodohen këtu.”, tha ai.

Dëshira për të ndihmuar për qytetarin nga Lezha është nevojë e brendshme dhe e domosdoshme edhe përse nuk është i pasur, ai mund t’i mundësoi dy familjeve ukrainase një banesë të ngrohtë.

“E ndjej të bëjë diçka për personat që janë në nevojë. Ne si popull e kemi treguar veten në këto raste. Unë në mënyrën time dua të jap prezencën time në këtë popull, të jap dhe vëmendjen në pjesën tjetër të botës. Unë kam qenë në emigrim për 15 vite, sigurisht jemi ndodhur në nevojë dhe na kanë ofruar ndihmë, Kur i përjeton gjërat në vetën e parë, je më i ndjeshëm ndaj situatave të tilla.”, u shpreh ai.

Duke folur për Report Tv, Gjergji e cilësoi këtë luftë të egër një çmenduri e cila nuk mund të ketë vend në shekullin 21.