Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, SHBA-të kanë theksuar edhe njëherë mbështetjen e tyre për gazetarët e pavarur që përpiqen të zbulojnë të vërtetën.

Me një postim në Facebook, Ambasada e SHBA shkruan se roli i medias është parësor që lufta kundër korrupsionit të ketë sukses. Po ashtu SHBA dënon sulmet ndaj gazetarëve të cilët kërkojnë të raportojnë në mënyrë të pavarur.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për gazetarët e pavarur të cilët përpiqen të zbulojnë dhe të përcjellin të vërtetën, të luajnë rolin e tyre mbikëqyrës në një mënyrë të përgjegjshme dhe të punojnë në një mjedis pa përndjekje, frikësime dhe vetëcensurë. Javën e kaluar, Ambasadorja Yuri Kim u takua me gazetarët Edmond Hoxhaj (BIRN Albania) dhe Isa Myzyraj (Ora News) për të shprehur mbështetjen e palëkundur për gazetarët e pavarur dhe për të dënuar sulmet direkte dhe indirekte ndaj gazetarëve të cilët kërkojnë të raportojnë në mënyrë të pavarur dhe të saktë. Që lufta kundër korrupsionit të ketë sukses dhe pandëshkueshmëria të përfundojë, roli që. ka një media e fortë dhe e pavarur është parësor”, shkruhet në postimin e Ambasadës së SHBA.

Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak kur renditej ne vendin e 83-të.