Pas mjekëve, infermierve, të moshuarve, mësuesve, pedagogëve e gazetarëve, ditën e sotme do të imunizohen me vaksinën anticovid 600 efektivë nga forcat e policisë.

 Procesi nisi sot në orën 8:00 në stadiumin “Air Albania” më kryeqytet dhe në rrethe.

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ishin sot në stadium, ku panë nga afër procesin e vaksinimit të forcave blu, një prej kategorive më të rrezikuara nga COVID-19, duke qenë në kontakt çdo ditë me qytetarë.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu janë 11 mijë e 800 efektivë nga Policia e Shtetit që pritet të vaksinohen, ndërsa sot do të marrin vaksinën anticovid Sinovac 600 efektivë.

“Janë 11 mijë e 800 efektivë nga Policia e Shtetit, sot do të vaksinohen 600, nesër përsëri 600 e do të vijojë në ditët me radhë,  60-80 veta në çdo orë”, tha Veliu.

“Është bërë një ndarje mes gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit.  Vaksinimi ka filluar edhe në rrethe“, tha ministrja.

Kurse kryeministri përmendi një prej artikujve të “New York Times”, ku thuhej se vaksina Sinovac ishte e para në radhë sa i përket eficencës.

“Kishte nxjerrë New York Times, bazuar në të dhënat e deritanishme dhe Sinovac ishte i pari eficent deri tani”, tha Rama.

Kujtojmë se numri i të vaksinuarve në vendin tonë arriti shifrën 172 486 ditën e djeshme.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se vendi ynë po ndjek planin e vaksinimit të kombinuar.

“Fillojmë me Tiranën, pastaj shtrihemi në gjithë Shqipërinë. Ne po ndjekim planin e vaksinimit të kombinuar. Pra në grupet e riskut ku futen dhe ata të shërbimeve kritike, siç janë policët dhe nga sot në drekë me gazetarët dhe operatorët e terrenit”, njoftoi Manastirliu.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka njoftuar se brenda muajit prill në vendin tonë do të vijnë edhe 23 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer.

“Brenda javëve të prillit edhe 23 mijë doza të tjera Pfizer”, shkruan kryeministri përmes një postimi në rrjete sociale.

Rama shprehet se sezoni turistik do të lehtësohet dhe Shqipëria do të ngjitet shpejt në shkallët e klasifikimit në Evropë.

Kujtojmë se procesi i vaksinimit në vend vijon që prej 11 janarit në qendra të vaksinimit dhe shkolla. Qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Coronavac.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar të infektuar në vend 336 qytetarë, janë shëruar 625 dhe kanë ndërruar jetë 6 pacientë me COVID.
Aktualisht të shtruar në spitale janë 276 të infektuar me COVID, ku 12 janë në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.

Numri i rasteve pozitive në vend ka shkuar në 125,842 që nga fillimi i pandemisë, ku 31,095 janë raste aktive.
Raste të shëruara janë 92,500 dhe kanë ndërruar jetë 2247 qytetarë.

VERITAS.COM.AL