Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se shtëpia e tij në Florida u bastis nga FBI dhe se agjentët hapën kasafortën.

Trump tha në një deklaratë se Mar-a-Lago në Palm Beach ishte “pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI”.

Kërkimi i së hënës thuhet se ishte i lidhur me një hetim mbi trajtimin e dokumenteve zyrtare nga Trump.

“Këto janë kohë të errëta për kombin tonë”, thuhet në deklaratën e zotit Trump. “Asgjë e tillë nuk i ka ndodhur kurrë një presidenti të Shteteve të Bashkuara më parë.”

As FBI (Byroja Federale e Hetimit) dhe as Departamenti i Drejtësisë nuk kanë komentuar mbi kërkimin e raportuar.

Një zyrtar i paidentifikuar i zbatimit të ligjit i tha CBS News, partnerit të BBC-së në SHBA, se Shërbimi Sekret u njoftua pak përpara se urdhri të dorëzohej rreth orës 10:00 me orën lokale (14:00 GMT) dhe se agjentët që mbronin zotin Trump ndihmuan hetuesit e FBI-së.
Disa kuti u morën, tha burimi, duke shtuar se asnjë derë nuk u rrëzua dhe se bastisja kishte përfunduar deri në orët e vona të pasdites.

Një urdhër kërkimi federal duhet të nënshkruhet nga një gjyqtar. Megjithëse një urdhër i tillë nuk sugjeron se priten akuza penale, agjencitë e zbatimit të ligjit duhet së pari të demonstrojnë mundësinë që të gjenden prova të paligjshmërisë.