Nga: Albana Xharra/

Ne nuk ndajmë kulturë të përbashkët. Histori të përbashkët po, kemi.

Si popull trashëgues i perandorisë osmane merrni barrën mbi supe për krimet, pushtimin dhe kulturocidin ndaj qenies, gjuhës dhe kulturës shqiptare që e keni ushtruar për pesë shekuj mbi ne. Kështu na mësojnë faktet dhe historiografitë e shumta përveç asaj turkes, nesoosmanes që jeni duke u përpjekur ta impononi.

Nuk është e rastësishme sipas infiltrimit tuaj (Tika dhe organizata tjera) në strukturat religjioze, arsimore e politike të vendit nisi edhe dukuria e mohimit publik dhe fyerjes së personaliteteve konstituive të identitetit tonë që e ruajmë me fanatizëm që nga lashtësia e deri më sot.

Ne nuk mohojmë faktin se ju investoni ku të mbërrini. Po ta bënit këtë pa synimin e turqëzimit dhe ndikimit që edhe ne të kthehemi në sisteme autokratike, siç e praktikoni në vendin tuaj, do të ishim miqtë më të mëdhenj të botës ndoshta, por jo, ju e bëni për të na bindur ne se nuk paskemi qenë të pushtuar por dashnorë. Nuk është kështu. Është e drejta jonë, ashtu si e çdo populli tjetër që ta përpunojë historinë e tij sipas fakteve. Ne nuk kërkojmë përgjegjësi nga populli i sotëm turk për krimet e perandorive në shekujt e kaluar, por nëse ju ngulni këmbë të na quani vëllezër se kemi qenë robër, jo. Historia jonë e përbashkët është negative, ardhmërinë mund ta ndërtojmë ndryshe, por jo duke u thirrur në të si vlerë, se nuk është, nuk e ndiejmë ashtu.

(Letra ime drejtuar Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë 2017)